MENU
klinika

Artur Ajazi

Fija e “barit” dhe tufa me “shkarpa”

08.02.2024 - 14:38

Rithemelimi ka muaj e muaj, që e quan Bashën “fije bari”, “që nuk mbledh dot as 100 demokratë, dhe nuk do të marrë dot as 5 deputetë në zgjedhjet e reja”. Por kjo ngjet edhe me PD e vulës. Ata edhe dje i thanë Berishës se “ai nuk mbledh dot njerëz të mbushë as rrugicën e tij, jo sheshet dhe bulevardin”. Krahasimisht, mund të thuhet se “tufa e shkarpave” është më e madhe se “fija e barit”.

Por as Berisha nuk ka shanse të marrë në 2025 as gjysmën e atyre që ka sot deputetë. Balancat kanë ndryshuar, pas sherrnajave brënda asaj partie. Me aq sa mbledh Basha dhe Berisha bashkë, e thënë ndryshe “fije bari dhe shkarpa”, i bie që kjo parti (që nuk mund të quhet as me emrin e vjetër më)të marrë 10 deri 15 deputetë në 2025.

Lufta dhe betajat kanë nisur qysh tani. Berisha tha se “të nisim me takimet me popullin, madje edhe me socialistët e zhgënjyer”. Lenini dikur thosh “të bëjmë për vehte edhe caristët e gënjyer, ti kthejmë në bolshevikë”. Ndërkohë beteja në distancë, për anëtarësinë, selitë e rretheve, grupseksionet, mbështetësit, vulën dhe siglën, vazhdon, ashtu sikurse në fb, mes tre kryetareve.

E ndersa Bardhi brënda 10 ditësh ka dhënë 5 deklarata të ndryshe, njëherë shprehet se “jam me demokratët, jo me Bashën”, pastaj kthehet dhe deklaron se “Berisha është i burgosur politik, por beteja me drejtesinë është personale”, duket se fati i PD është paravendosur.

Nga njëra anë Basha që kapet fort pas “fijes së barit” (sepse e di se nuk ka shumicën në bazë), dhe Berisha që “ngopet me lugë të zbrazur”, tek sheh nga lart-poshtë ata dhjetra që i shkojnë çdo pasdite poshtë ballkonit. Dhe ata që e vuajnë moralisht braktisjen dhe mungesën e një partie të vetme (për faj të treshes Basha-Berisha-Bardhi) janë demokratët e hallakatur, që nuk dinë nga të turren. Muajt ikin, vitet ikin, duke afruar edhe më shumë vitin elektoral 2025. Por kjo duket se nuk ka shumë rëndësi për Berishën, edhe pse mban fjalime pompoze majë ballkonit. Po ashtu edhe për Bashën dhe Bardhin, të cilët e dinë se, e vetmja rrugëzgjidhje mbetet marrja e një mandati të ri deputeti për vehten në zgjdhjet e reja, sa të merren me vula dhe sigla boshe.

Tallja mes njëri-tjetrit, romuzet, akuzat, dhe shigjetimet e tjera, veçse po rrisin hendekun mes tre grupimeve brënda PD. Dhe kështu do ta shtyjnë deri në 2025, njëri pas “fijes së barit”, deri në mbylljen e proceseve gjyqsore për siglën dhe vulën, tjetri pas “tufës me shkarpa”, deri në mbylljen e punëve me drejtësinë e re, dhe i treti që pret të ndodhë diçka, por e di fare mirë që PD nuk ringrihet më.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN