MENU
klinika

Plumb në shtëpinë e Taravarit

Kurti përçan opozitën shqiptare në Maqedoninë Veriore?

05.02.2024 - 13:38

Në mesin e përplasjeve dramatike që kanë sjellë një tërmet të vërtetë brenda partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në mediat vendase njoftohet për gjetjen e një plumbi mëngjesin e sotëm në oborrin e shtëpisë së kryetarit të saj, Arben Taravari, çka bëri që në vendngjarje të zbarkojnë dhe forcat e policisë për hetimet e rastit.

Episodi vjen pak deklaratës së papritur të Taravarit se Aleanca për Shqiptarët, që prej shkurtit 2023 në koalicion qeverisës me LSDM dhe BDI, por e zhgënjyer sipas tij me Ali Ahmetin dhe PDSH-në e Menduh Thacit, ka vendosur t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e 8 majit. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Taravari i bëri thirrje organeve më të larta partiake që ta mbështesin atë në “këtë rrugëtim drejt procesit për ndryshimin e madh dhe të shumëpritur.

Por njeriu që e themeloi këtë parti vite më parë, Kryetar i Kuvendit Qendror të partisë, Ziadin Sela, e kundërshton kategorikisht një gjë të tillë. As ai vetë, e as struktura të tjera të partisë nuk janë njoftuar paraprakisht, ndërsa e konsideron të papranueshëm koalicionin me partitë opozitare, që përfshin dhe VMRO-DPMNE. Sela e quajti pabesi lëvizjen e Taravarit.

“I kam kërkuar dhe i kam thënë të njoftojë Kryesinë duke e sqaruar se në mënyrë që të marrim vendimin, duhet të mbledhim Kuvendin Qendror pas një jave. M`u përgjigj, po, do e thërras këto ditë, dhe me pabesinë më të madhe, fatkeqësisht, dhe për zhgënjimin tim më të madh, na u paraqit me status në Facebook. Kryetar rrjetesh sociale nuk i duhet ASH-së”, u shpreh Ziadin Sela.

Sela shtoi se nuk do të lejohet realizimi i paralajmërimeve të Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE, parti politike kjo opozitare e konfirmuar me ideologji antishqiptare, i cili kishte pretenduar disa kohë më ndarjen e ASH-së në prag të zgjedhjeve të 8 majit. Vendimi i papritur i Taravarit erdhi pak ditë pas një takimi të përbashkët në Prishtinë të thirrur nga kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive të opozitës shqiptare (Lëvizja Evropiane për Ndryshim – LEN) nga Maqedonia e Veriut.

Drejtuesit e partive Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratitke që përbëjnë koalicionin LEN, i kishin ofruar atij të kandidonte për garën presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit (raundi i dytë), por kreu i ASH-së i tha medias se nuk ishte i interesuar. Një pjesë e analistëve vlerësojnë se ndasitë brenda Aleancës për Shqiptarët për një çështje të rëndësishme, siç janë zgjedhjet e pritshme, mund ta dëmtojnë seriozisht këtë parti.