MENU
klinika

Opozita në protestë

Mijëra qytetarë mblidhen para Parlamentit; tubimit i bashkohet edhe grupi i Bardhit

05.02.2024 - 18:49

Opozita ka filluar sot protestat kundër mazhorancës dhe qeverisë. Ashtu sikundër ishte paralajmëruar, në orën 17.00 me mijëra qytetarë u mblodhën para Parlamentit, teksa deputetët e PD bënin “luftë” me Gardën për tu futur në sallë.

Para hyrjes së Kuvendit është ngritur një podium dhe deputetët kanë nisur të marrin fjalën. Ndërkohë me qindra protestues janë parë me pankartë në duar dhe me thirrje në mbështetje të Sali Berishës. Protesta nisi pas vendimit për të përjashtuar 19 deputetë të opozitës, teksa janë paralajmëruar tubime të tjera. Ajo që ra në sy ishte fakti se protestës ju bashkuan dhe deputetët krah Bardhit.

Fjalën e mori i pari deputeti Dashamir Sula, i cili tha se do të jetë një luftë e gjatë, ai tha se mund të humbasin disa beteja, por aspak luftën.

“Shikoni çfarë i bënë sot deputetëve të opozitës. E kanë rrethuar me qindra policë dhe gardistë dhe kjo është e tmerrshme. Kjo është një sjellje prej diktature. I bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të protestojnë për të drejtat e opozitës dhe të drejtave të tyre.

Mund të humbasim disa beteja por luftën nuk do ta humbim kurrë. Është e vetmja rrugë për të vendosur demokracinë. Ky vend ka rrëshqitur në autokraci. I bëj thirrje popullit opozitar që të protestojë çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj”, tha ai.

Ndërkohë me qindra polica kanë zbritur në terren, bashkë me forcat speciale dhe makinat me ujë. E gjithë godina e Kuvendit është rrethuar me efektivë.