Disa mijëra vite më parë, kur një mbret apo një perandor i mbante të qetë dhe nën kontroll pas mureve të qytetit nënshtetasit e tij, duke e përdorur ushtrinë dhe eliminuar të gjithë ata që kërcënonin të sulmonin muret, ishte e kuptueshme që pakkush mund ta sfidonte atë fuqi, dhe që siguria do të mbizotëronte mbi idetë e lirisë.
Me kalimin e shekujve dhe monarkët dhe despotët grumbulluan pasuri, teksa monarkitë absolute dhe devijimet e tjera të pushtetit të përqendruar, mundësuan lindjen e tiranive gjithnjë e më të tmerrshme. Gjatë shekullit XX-të, fuqia teknike e shteteve arriti kulmin, duke lejuar shfaqjen e despotizmave më të përgjakshme dhe më të plota të para deri më sot.
Tmerret e nazizmit dhe stalinizmit, treguan pikën më kulmore të shthurjes njerëzore. Por edhe Pol Poti dhe Mao shkaktuan tek popujt e tyre tmerre të mëdha. Megjithatë, sot është e papranueshme, që me kapacitetet tona moderne teknologjike për të komunikuar me njëri-tjetrin, dhe me filozofinë politike shekullore që na fron një bazë edukative nga e cila mund të shprehim dhe shprehim idetë e lirisë dhe dëshirën tonë për t’u çliruar nga skllavëria, të mos mundemi ende të shkëputemi nga fenomeni i një individi të vetëm, me lajthitje historike deluzive që ushtron një kontroll totalitar.
Sot, Ukraina dhe situata në të cilën ndodhet në raport me aleatët dhe armiqtë e saj, është një emblemë e të gjitha dështimeve që na kanë lejuar të mbetemi të skllavëruar nga tirania. Dhe të gjitha këto probleme vazhdojnë për shkak të një dobësie njerëzore:mungesës së guximit. Është e lehtë të përqendrohemi vetëm tek pavendosmëria e Shteteve të Bashkuara, ku politikanët vazhdojnë të debatojnë dhe vonohen në miratimin e ndihmës së radhës, teksa ukrainasit që po luftojnë për lirinë e tyre dhe tonën, janë në momentin më kritik që nga pushtimi rus në shkallë të gjerë i vitit 202.
Republikanët dhe bashkëpunëtorët e tyre, kanë kaluar nga vonesa në një ngurrim të rrezikshëm. Por mbarë bota ka dobësitë e saj. Ka vende, të cilat që nga kohëra e lashta, janë ushqyer me një ëndërr pacifiste, duke besuar se të gjitha problemet do të zgjidhen në fund falë shpresës së verbër, negocimit me agresorin apo izolimit në vetvete.
Pastaj kemi një larmi personalitetesh publike, busullat morale të të cilëve luhaten sa para- mbrapa nën ndikimin e pushtetit dhe të diktatorit. Kohët e fundit, ata kanë fituar epërsi. Ajo që bën dallimin në rezultatin përfundimtar, është nëse ngrihen dhe flasin ata që dëshirojnë të shohin një botë të lirë nga pushteti arbitrar i despotëve.
Zërat e këtyre të fundit nuk janë mjaftueshëm të lartë. Në SHBA, sondazhet thonë se shumica e mbështet Ukrainën, dhe duan që të vazhdohet ndihma ndaj saj. Por kanalet e mediave sociale janë shtrembëruar nga pakica me e zëshme, në një kohë që vendimet politike pengohen dhe bllokohen po prej tyre.
Në vendin e të lirëve dhe në shtëpinë e trimave, trimat duhet ta bëjnë veten më të dukshëm. Një botë më e mirë, mund të krijohet vetëm nëse gjejmë forcën për të luftuar kundër egoizmit të despotëve, duke e parë njëri-tjetrin në sy për t’i thënë “Mjaft më!”. Në Evropë, liderët kombëtarë janë ende të frikësuar nga pasojat që perceptojnë në kokën e tyre.
Ndërkohë, duke e parë këtë dobësi të qartë, Rusia e forcon retorikën e saj, duke përfshirë kërcënimet e reja për asgjësimin bërthamor të qyteteve evropiane, duke e ditur fare mirë se kjo ua prish gjumin udhëheqësve perëndimorë. Por mungesë guximi vërehet edhe në shtetet autoritare.
Po pse vazhdojmë të lejojmë tiranët që të sundojnë mbi miliona njerëz? Natyrisht, është e lehtë që nga qetësia e një qyteti evropian, të gjykosh situatën e të tjerëve, të cilët duhet të marrin parasysh jetën e tyre përpara se të nisin të protestojnë. Por këtë pyetje, unë e bëj më në përgjithësi.
Si ka mundësi që në shtetet moderne që përbëhen nga miliona njerëz, pra shumë më të mëdha se sa çdo despotizëm monarkik mesjetar, tekat e një individi të lejohen të diktojnë ende fatin e gjithëve? Mbretërit tanë janë bërë presidentë, dhe diktatet tona mbretërore janë bërë proklamata të mediave sociale, dhe asgjë nuk duket se ka ndryshuar.
Pjesa më e madhe e përgjigjes mund të qëndrojë tek refleksi. Dekadat e apatisë dhe të mësuarit, se përpjekjet e cilitdo për të synuar ndryshim nuk sjellin asgjë, i mësojnë njerëzit të përfitojnë më së miri nga një situatë e keqe, të përpiqen të pajtohen me tiranin dhe të arrijnë në dukje pasjen e një jete në një sferë të kufizuar.
Për shembull, 70 vjet marksizëm në Rusi, mund të shpjegojnë pjesërisht situatën sot atje.
Një sistem arsimor që nuk mëson pavarësinë e mendjes, të menduarit kritik, aftësinë për të argumentuar për pushtetin shtetëror, së bashku me traktet e gjata të diktaturës, çojnë në krijimin e zakoneve që janë të vështira të prishen.
Ndërkohë ne në Perëndim, mund ta përsosim edukimin mbi përmirësimin e shoqërisë. Në këtë lloj kulture, nuk ka asnjë pashmangshmëri. Ukraina u distancua nga marksizëm-leninizmi pas dekadave të vuajtjes së pasojave të pushtetit shtetëror dhe disa prej akteve të tij më të këqija.
Pas asaj nate të gjatë dhe të errët socialiste, ukrainasit vazhdojnë të ruajnë ndjenjën e tyre mahnitëse të vetë-respektit dhe vetëvendosjes. Një botë më e mirë mund të krijohet nëse mund të gjejmë forcën për të luftuar kundër egoizmit të despotëve, për ta parë njëri-tjetrin në sy dhe për të thënë “Mjaft është mjaft”, dhe të këmbëngulim për një të ardhme më të mirë, në të cilën njerëzimi ua mohon frenat e pushtetit të pakufizuar disa njerëzve që do ta abuzonin me të.
Sot është i pakët numri i autokratëve që kanë një pushtet totalitar. Ata kundër 8 miliardëve? Po çfarë po bëjmë? Çfarë po presim? Edhe ata që u shërbejnë despotëve dhe kanë përfitime materiale nga besnikëria e tyre, a nuk dëshirojnë thellë-thellë brenda tyre, që ta ndihmojnë njerëzimin të ndërtojë diçka më të mirë?
Ata duhet të shihen para pasqyrës, dhe të pyesin veten se çfarë po u lënë trashëgim pasardhësve të tyre. Por për të arritur një rezultat të tillë, kërkohet veprim nga të dyja anët. Ata që përballen me zgjerimin e tiranisë duhet të ngrihen për t’i rezistuar asaj, dhe duhet të jenë të qartë dhe të sigurt në qëllimin e tyre.
Në këtë sfidë, nuk na ndihmon fakti që ne në Perëndim kemi nxitur kohët e fundit një ndjenjë faji të urryer ndaj të kaluarës sonë, gjë që mund të ushqejë pjesërisht ngurrimin tonë për të kundërshtuar forcimin dhe zgjerimin e tiranive, që të mos akuzohemi për neo-kolonializëm.
Ndërkohë njerëzit që jetojnë sot brenda regjimeve shumë represive, duhet të jenë më të guximshëm dhe më të gatshëm për të kërkuar gjëra më të mira për veten e tyre. Pas rreth 10.000 vjetësh zhvillim që nga lindja e bujqësisë, qytetërimi njerëzor mund të arrijë dhe meriton të kapë nivele më të larta të rendit kulturor dhe politik.
Pas kaq shumë kohësh, mendimesh dhe eksperimentesh, a jemi gati të shpallim fundin e koncepteve të skllavërisë dhe të fshehjes nën shkopin e tiranit? Nuk ka asnjë naivitet për asnjërën nga këto që thashë. Ideja e një bote pa autokraci që plaçkitin dhe centralizojnë pushtetin në dëm të të gjithëve, është krejtësisht praktike.
Ne kemi shumë shembuj të komuniteteve që i janë shmangur këtij fati. Me përpjekje dhe vendosmëri të mjaftueshme, mund të ndërtojmë shoqëri që respektojnë individin dhe që kërkojnë të ndërtojnë struktura të përgjegjshme dhe të kontrolluara të pushtetit, duke kufizuar kompetencat e qeverisë.
Por për ta bërë këtë, kemi nevojë për më shumë sesa ide, plane, përpjekje dhe punë të palodhur. Ne kemi nevojë për guximin për të besuar në të, dhe për të qenë të gatshëm ta deklarojmë dhe ta mbrojmë atë. Atëherë ndoshta do të kemi disa mundësi për t’i shpëtuar mijëvjeçarëve të shterpësisë, dhe për të gjetur rrugën tonë drejt marrëveshjeve politike më produktive.
Charles Cockell, profesor i astrobiologjisë në Universitetin e Edinburgut, Skoci.
VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN
Ora "X" ka mbërriturIzraeli mund të futet në çdo moment në Gaza…
Pas ditëve të tëra dhunëVendoset armëpushimi mes Izraelit dhe Gazës
SHBA i shtrëngon “lakun” IzraelitTre opsionet e mbetura, çfarë ka planifikuar Netanyahu?