Irani nuk ka qenë kurrë kaq afër ndërtimit të një bombe atomike.
Kështu thotë Instituti për Shkencën dhe Sigurinë Ndërkombëtare (Isis), i cili në raportin e tij të fundit thekson se Teherani mund të krijojë pajisjen e tij të parë bërthamore në vetëm një javë ” duke përdorur vetëm një pjesë të uraniumit të pasuruar 60% që zotëron”.
Pasi kishte arritur këtë moment historik tronditës, regjimi i Ajatollahut mund të vazhdonte më pas me ndërtimin e gjashtë bombave gjithsej në një muaj dhe 12 pajisjeve në pesë muaj të tjerë dhe mund t’i fshehte lehtësisht gjithçka nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) duke vonuar aksesin e tyre tek objektet.
Konkluzionet e arritura nga ekspertët trembin Izraelin dhe SHBA-në teksa përballen me një krizë në Lindjen e Mesme që rrezikon të tërheqë Uashingtonin në një konflikt të drejtpërdrejtë me Teheranin.
Raporti i mëparshëm nga instituti ISIS u botua në maj 2023 dhe që atëherë, thuhet në dokument, “kërcënimi i paraqitur nga programi bërthamor iranian është rritur në mënyrë dramatike”.
Ajo që i përshpejtoi planet e Republikës Islamike ishte “situata e paqëndrueshme” e prodhuar nga sulmet e Hamasit më 7 tetor.
Masakra do t’i kishte dhënë regjimit iranian një “justifikim” për të vazhduar punën në fshehtësi mbi projektet e tij atomike.
Pra, “për herë të parë në shumë vite” ne e gjejmë veten përballë një skenari “rreziku ekstrem” me mundësinë konkrete që Irani të kalojë çdo kufi me kërcënimet e tij.
Analiza tronditëse e ISIS vjen disa muaj pas një raporti tjetër me tone të ngjashme të hartuar nga IAEA ku thuhej se Irani posedon një sasi uraniumi të pasuruar të mjaftueshëm për të ndërtuar tre bomba atomike.