Kantieret amerikane që ndihmuan në sigurimin e dominimit të oqeaneve të Uashingtonit në shekullin e njëzetë janë duke dalë jashtë funksionit.
Ajo që përfiton nga kjo është Kina, një vend ku vitin e kaluar u nisën më shumë se gjysma e anijeve tregtare të prodhuara në mbarë botën. Dhe në të njëjtat kantiere detare Pekini po ndërton me shpejtësi anije luftarake të cilat mund të jenë në gjendje të mbajnë një konflikt afatgjatë në Indo-Paqësor, shkruan Wall Street Journal.
Në analizën e publikuar nga gazeta financiare thuhet se vendi i dragoit është kthyer në liderin e padiskutueshëm të industrisë botërore të ndërtimit të anijeve dhe për gjigantin aziatik kjo përfaqëson “simbolin e transformimit historik nga një komb kontinental me pamje nga brenda në një fuqi detare”.
Një synim që përshtatet mirë me projektin e ripërcaktimit të përgjithshëm të rendit botëror të promovuar nga presidenti kinez Xi Jinping që nga ardhja e tij në pushtet në 2012.
Dominimi kinez në ndërtimin e anijeve bëhet edhe më i bujshëm nga fakti se do të kishte ndodhur jo vetëm kundër Shteteve të Bashkuara, por edhe kundër Evropës.
Kontinenti i Vjetër, në fakt, sot mban vetëm pesë për qind të prodhimit global detar, kontributi i SHBA është “pothuajse zero” dhe shumica e asaj që nuk është ndërtuar në Kinë “vjen nga Koreja e Jugut ose Japonia“.
“Shkalla e ndërtimit të anijeve kineze është pothuajse e vështirë për t’u realizuar”, thotë Thomas Shugart, një ekspert në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane.
Në Amerikë, i njëjti sektor, dikur qendror dhe i lulëzuar, është tkurrur në mënyrë drastike.
Porositë për kantieret kineze do të grumbullohen për vitet në vijim dhe do të vijnë nga e gjithë bota.