MENU
klinika

Rusia e SHBA “luftë” për Serbinë

Pas Biden, Vuçiç merr letër nga Putini

14.02.2024 - 18:08

Serbia vijon të luajë me dy porta. Nga njëra anë flirton me Perëndimin, nga ana tjetër vijon të mbajë raporte të ngushta me Rusinë. Sot Vuçiç mori një letër nga presidenti Biden, në kuadër të festës së shtetësisë. Presidenti amerikan ja bëri të qartë se duhet të pranohet pavarësia e Kosovës.

Por nuk ka vonuar shumë dhe është futur në valle Moska. Një letër i ka dërguar edhe presidenti Putin, i cili vlerëson Vuçiçin për besnikërinë e tij.

“Ju dërgoj urimet më të përzemërta me rastin e festës kombëtare të ditës së shtetësisë së Serbisë. Marrëdhëniet midis vendeve tona bazohen në traditat shekullore të miqësisë, afërsisë kulturore dhe shpirtërore. Jam i bindur se do të vazhdojmë të forcojmë partneritetin strategjik ruso-serb në të gjitha aspektet, të zhvillojmë bashkëpunim konstruktiv në fusha të ndryshme”, ka thënë Putin.

Biden bë letrën e tij thekson se për Serbinë nuk ka normalizim të shpejtë dhe të ardhme të suksesshme pa pranuar kompromiset e nevojshme në dialogun me Kosovën.

“Marrëveshja për normalizim dhe zbatim paraqet hapa kyç drejt një të ardhmeje më paqësore dhe më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën”, thuhet në letrën e presidentit amerikan.

Në letrën drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, Bideni ka garantuar se SHBA-ja do të punojë ngushtë me Serbinë e Kosovën dhe Bashkimin Evropian në dialog.

“Me zgjedhjet pas jush, inkurajoj Serbinë të ecë përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromisin kur është e nevojshme, në mënyrë që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet ndër të tjera në letrën e Bidenit për Vuçiçin, raporton ‘N1’.