Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përjashton valutat e tjera, përfshirë dinarin serb, për pagesa. Serbët janë ndezur dhe kanë shpërthyer në protesta, ndërsa nga kryeministri Albin Kurti nuk ka tërheqje. Lideri i Kosovës tha dje se nuk do të hiqet dorë nga vendimi që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa në Kosovë, por tha se po respekton kërkesat e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje. Gjatë një interviste për Bloomberg, Kurti përsëriti se me rregulloren e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk ndalohet mbajtja e dinarëve serbë, pasi kjo valutë mund të përdoret për pagesa vetëm pasi të konvertohet në euro në një nga bankat e licencuara në Kosovë. “Nuk mund ta zhbëjmë këtë vendim. Pra, ata kërkuan për më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Dhe kështu do të veprojmë gjatë shkurtit”, tha Kurti. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre përmes një sistemi paralel rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë. Rregullorja është kritikuar nga faktori ndërkombëtar, që ka argumentuar se vendimi është marrë pa konsultime paraprake. Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin. Qeveria e Kosovës ka thënë se përgjatë shkurtit do të ketë fushata për informimin e serbëve për këtë vendim dhe në këtë kuadër, Kurti më 11 shkurt iu adresua qytetarëve serbë, në gjuhën serbe, duke thënë se vendimi nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë.
Mesazhi i Kurtit
Gjatë intervistës në Bloomberg, Kurti u pyet se cili është qëllimi i tij final për serbët në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën e popullsisë. Kurti tha se ai dëshiron që ata të integrohen në shoqëri, duke theksuar se shumica e tyre veçse e kanë bërë këtë, përmes pajisjes me letërnjoftime dhe pasaporta të Kosovës. “Problemi nuk janë serbët e Kosovës, problemi është regjimi autokratik në Beograd, që është bashkëpunëtor rus. Është regjim që varet nga Kremlini. Ata janë duke e bërë këtë alarmimin para-apokaliptik, duke nxitur tensione etnike sepse ata duan të shkaktojnë probleme në rajon”, tha Kurti. Gjatë një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 8 shkurt, ku u diskutua për situatën në Kosovë pas vendimit për ndalimin e dinarit, Serbia dhe Rusia thanë se me këto veprime Kosova po kryen “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë. Kurti iu përgjigj këtyre akuzave, duke i cilësuar si gënjeshtër.
Serbët nisin protestat
Ky vendim ka bërë që serbët të nisin protestat. Në Mitrovicë të Veriut, ata protestuan dje pranë urës kryesore mbi lumin Ibër. Protestuesit ishin nga të gjitha komunat ku jetojnë komuniteti serb. Tek ura mbi Ibër ishin të pranishëm pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Në protestë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në fillim të protestës, organizatorët thanë se përmes saj po ngrihet “zëri kundër padrejtësisë dhe përndjekjes së Prishtinës për të hequr dinarin e fituar me mund”. Një nga protestuesit nga Zubin Potoku tha për Radion Evropa e Lirë se ai po proteston “kundër çdo gjëje, edhe kundër atyre në Beograd dhe kundër atyre në Prishtinë”, duke shtuar se “nuk i besoj më askujt”. Protesta e 12 shkurtit është përkrahur nga sindikata që përfaqëson punëtorët e sistemit paralel të Serbisë në Kosovë. Kjo sindikatë, ftoi që të marrin pjesë të gjithë punëtorët në Kosovë, që punojnë sipas sistemit serb, përfshirë ata në sektorin e arsimit, shëndetësisë, punëtorët e postës dhe ata që punojnë në minierën Trepça. Në njoftim u tha se ata kundërshtojnë lëvizjet “e njëanshme përshkallëzuese që synojnë dëbimin e popullatës serbe nga Kosova”. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre përmes një sistemi paralel, rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.