MENU
klinika

Përçarja e opozitës

Topi: PD e sëmurë, nuk e kuron dot asgjë

01.02.2024 - 17:50

Ish-presidenti Bamir Topi ka folur për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike.

Sipas tij aktualisht janë dy Parti Demokratike të ekspozuara.

Por Topi deklaron se aktualisht po qarkullojnë edhe grupime të tjera të demokratëve, të cilat ai i sheh si klone të dy grupimeve kryesore.

“Shoh dy PD të ekspozuara, një zyrtare dhe shoh gjashtë klone, linja të klonuara. Identifikoj gjashtë linja të klonuara”, tha ish-presidenti.

Megjithatë Bamir Topi thotë se opozita aktualisht është e sëmurë.

Madje ai vijon më tej duke e përshkruar situatën si një sëmundje terminale ku nuk po jep zgjidhje as terapia.

“Jemi në një moment ku po shohim pjesën terminale të sëmundjes, sëmundja ka kohë. Terapia nuk po jep asnjë lloj rezultati. Shoh që nuk ka asnjë lloj përpjekje për të dalë nga gropa. Është një sëmundje që ka degraduar prej vitesh”, u shpreh ish-presidenti në një intervistë për Top Channel.