Në trevjetorin e qeverisjes së tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lavdëroi vetën dhe kabinetin për punën e kryer në këtë periudhë.
Duke e cilësuar qeverisjen e tij si ndryshimin më të madh demokratik që nga paslufta, kreu i qeverisë tha se për këto tre vjet Kosova ka avancuar në shumë aspekte, mes tyre edhe në politikë të jashtme.
“Avancuam politikën e jashtme, liberalizimi i vizave u jetësua sivjet. E realizuam ndonëse nuk e kishim premtuar”- tha Kurti.
Megjithatë, njohësit vlerësojnë se përgjatë kësaj periudhe politika e jashtme e vendit nuk ka shënuar asnjë avancim.
“Ne nuk kemi asnjë anëtarësim në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare dhe po ashtu nuk kemi as njohje dhe as avancime të tjera në këtë fushë”- tha njohësi i çështjeve politike, Visar Xani.
Shtohet po ashtu se për herë të parë me qeverisjen e Kurtit vendi përballet me masa ndëshkuese.
“Kosova për herë të parë ballafaqohet me masa dhe me sanksione të cilat nuk i kemi pasur në të kaluarën dhe po ashtu kemi deklarata nga diplomatë të rëndësishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që shprehin pakënaqësinë e tyre në aspekt të komunikimit dhe marrëdhënieve diplomatike”- u shpreh Xani.
Albin Kurti po ashtu u mburr edhe me shtrirjen e sovranitet, rritjen e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës e krijimin e kushteve më të mira sociale.