MENU
klinika

Takimet e zhvilluara në kryeqytet

Vuçiç provokon nga Tirana: Po shkojmë drejt përshkallëzimit të konflikteve në botë

29.02.2024 - 17:06

Pas takimeve të zhvilluara në Tiranë, presidenti Aleksandër Vuçiç ka folur para mediave për kërcënimin që bëri ditën e sotme aleati i ngushtë i Serbisë, Vladimir Putin.

Dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë, do të ketë pasoja tragjike paralajmëroi shefi i Kremlinit, teksa nuk e përjashtoi opsionin e armëve bërthamore.

Në lidhje me deklaratën e Putinit, Vuçiç tha se këtë të fundit nuk e ka dëgjuar apo parë ende, ndërsa palajmëroi përshkallëzim konfliktesh në botë.

“Jam shumë i shqetësuar për atë që po ndodh në botë, dhe nga biseda me Zelenskin dhe të tjerët. Kam frikë se po shkojmë drejt komplikimit të mëtejshëm të situatës në botë dhe vuajtjeve dhe problemeve të mëtejshme.”, tha Vuçiç.

Më tej i pyetur nga mediat për takimin me Zelenskyn, Vuçiç tha se Serbia nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje me Ukrainën.

‘Ne kemi marrëdhënie korrekte dhe mbështesim integritetin territorial të Ukrainës, ashtu siç ata mbështesin tonin.Marrëdhëniet tona me Rusinë bazohen në vendime racionale. Deri më tani, ne kemi pasur sukses në zhvillimin e politikës sonë.’ , tha presidenti serb.

Në samitin e Tiranës prë Ukrainën, Vuçiç kërkoi që sanksionet kundër Rusisë, si dhe “ndikimi malinj i Federatës Ruse në vendet e rajonit” të jenë hequr nga teksti.

Po ashtu, presidenti i Serbisë kërkoi që në tekst të mos shkruhet “vendi” por “Ballkani Perëndimor Gjashtë”, duke qenë se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet.