Është zbardhur drafti final i Amnistisë Penale, që pritet të kalojë për votim të enjten në Kuvend.
Në draft tregohen dhe përcaktohen qartë kriteret që do të ndiqen për të dënuarit që përfitojnë nga amnistia.
Po ashtu në projektligj përcaktohen dhe kategoritë që përjashtohen dhe nuk përfitojnë nga amnistia.
Ligji për Amnistinë Penale kërkon 84 kartonë jeshilë nga ligjvënësit dhe mazhoranca duket se ka gjetur akordin me opozitën të t’a votuar.
Në diskutimet e bëra online në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ditën e djeshme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja foli për propozimet që ka bërë PD për çështjen.
3150 të dënuar do të përfitojnë nga kjo Amnisti në rast se ajo miratohet, po sipas Manjës kjo vlen për të gjitha kallëzimet e depozituara në Prokurori deri në datën 31 Janar 2024.
Manja theksoi se është pranuar propozimi i deputetit Enkeled Alibeaj, që lidhet me të dënuarit për veprën penale “pjesëmarrje në tubime apo protesta”.
“Për personat që janë dënuar ose janë në ndjekje penale gjatë tubimeve apo protestave politike të organizuara nga 1 Tetori 2018 deri në 31 Gusht 2020. Ky propozim është pranuar, por jo duke përcaktuar limitin kohor. Kjo do të shtrihet deri në datën 31 Janar 2024, këtë kategori nuk mund ta lidhim me një periudhë kohore. Sigurisht është pranuar dhe për veprat që lidhen me tubimet dhe protestat, këtu kam parasysh veprat penale bazike që lidhen me organizimin e protestave. Pra veprat që janë kundër rendit dhe sigurisë publike, organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme është pranuar i gjithi. Neni tjetër “organizimi i tubimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur kemi pranuar paragrafin e parë e të dytë, se janë vepra që dënohen deri në 3 vjet burg. Këto kanë qenë pjesë propozuese të deputetit Enkeled Alibeaj”, tha Manja.
Ministri u shpreh gjithashtu se nuk janë pranuar të amnistohen veprat penale ”goditja për shkak të detyrës”.
“Nuk kemi pranuar veprën penale ”goditja për shkak të detyrës”, e kemi kriter ndalues, por për të gjitha kategoritë e subjekteve, jo vetëm për personat që kanë marrë pjesë në tubime apo protesta. Qoftë ata që janë në ndjekje penale, për shkak të rrezikshmërisë shoqërore që kanë këto vepra, por edhe duke u nisur nga parimet që ka kjo amnisti, ne nuk e kemi pranuar. Po ashtu shkatërrimi i pronës me zjarr, as këto nuk i kemi pranuar. Është akt mëshire, por duhet të jemi të kujdesshëm sepse interferon në sistemin e drejtësisë. Duhet mbrojtur sistemi publik, për këto kemi mbajtur linjën që kishim”, tha ministri Manja.
Nga Amnistia Penale nuk marrin asnjë përfitim personat e dënuar me burg të përjetshëm dhe ata që po gjykohen nga GJKKO. Nuk përfitojnë plotësisht nga Amnistia personat e dënuar për “goditje ndaj efektivëve të policisë.