Kryeministri Edi Rama foli për rritje të turizmit duke e vënë theksin tek turistët e huaj që kanë hyrë dhe kanë dalë vitin e kaluar, por edhe këtë vit.
Sipas tij vetëm në muajin shkurt në Shqipëri kanë hyrë 1 milion turistë dhe nëse do të vazhdohet me këtë trend, 10 milionë turistët e vitit të kaluar do të bëhen 14 milionë.
Kreu i qeverisë krahasoi këtë fakt me qeverinë e mëparshme, ku siç tha ai për të “arritur 1 milion turistë numëroheshin edhe shqiptarët”.
“Shikojeni se cfarë kemi arritur me turizmin. Para disa vitesh as nuk mund të gjendeshin 10 veta bashkë që mos të të merrnin për të çmendur po të imagjinoje se në janar-shkurt 2024 do të hynin në Shqipëri 1 milionë turistë të huaj. Nëse ky trend vazhdon atëherë 10 milionë turistët e vjetshëm do të bëhen afër 14 milionë këtë vit. Dikur për t’i bërë 1 mln qeveria e mëparshme na numëronte të gjithëve si turistë sa herë hynim në Shqipëri pasi dilnim jashtë shtetit. Ata që numërojnë udhëtimet e mia me charter dhe bërtasin për miliona euro imagjinarë, edhe pse shpenzimet e mia i kushtojnë kryeministrisë më pak sesa ato të paraardhësit tim, kur ishin në qeveri imagjinoni sa turiste do kishin numëruar me vajtje ardhjet e mia ”, tha Rama në Asamblenë e PS që u mbajt te Gjiri i Lalzit.
Kryeministri Rama po ashtu konfirmoi edhe lajmin për investimet ne Shqiperi që pritet të bëhen në turizëm nga dhëndri i ish presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
“Këto ditë, Jared Kushner një sipërmarës amerikan dhe dhëndri i ish presidentit Trump shpalli ambicien për të investuar në në dy projekte turistike në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillime në turizëm dhe investime direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit në kthim të një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur s’ka qenë kurrë përveç ushtareve të Enver Hoxhës, që prisnin me dylbi zbarkimin e flotës së 7 amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë me rregull treshi sesi doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. Hija e ish presidentit amerikan dhe frika provinciale në fakt nga zemërimi i tij, ju kujtohet si thoshin atëherë kur u zgjodh për mua, por ja ku jam sot, i pengon ata më gojështhururit që ti bashkëngjiten këtyre zërave dhe të lëshojnë rufetë e akuzave dhe shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit që kam hyrë në një mega aferë korrupotive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit”, u shpreh ndër të tjera Edi Rama.