Adriatik Lapaj, drejtues i Lëvizjes “Shqipëria bëhet”, ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, duke ofruar për qytetarët një alternativë reale vlerash.
Lapaj tha se pavarësisht se kanë trokitur në çdo derë qytetari, ata nuk kanë bërë premtime, pasi njerëzit i duan për idetë që ofrojnë.
Sipas tij, në zgjedhjet e përgjithshme do të bëhet një betejë mes vlerave dhe antivlerave.
“Kemi shkuar në çdo bashki. Kudo shkojmë, nuk i premtojmë gjë njerëzve, as tollona, apo kërcënime. Njerëzit po i duan idetë tona. Gjej shumë njerëz skeptik po ashtu. Ata thonë se: Shqipëria nuk bëhet, se bandat e kanë kapur. Ujqërit ruajnë njërit-tjetrin. Sikur secili nga ne të bëjë detyrën nuk ka fuqi që i ndal. Në 2025 hyjmë në zgjedhje. Për ça po i nxjerrim njerëzit ne, që të tallemi? Ne do të shkojmë në zgjedhje që të fitojmë, dhe t’u japim qytetarëve alternativa reale vlerash. Kjo është betejë mes vlerave dhe antivlerave. Qytetarët duhet të marrin vendim, do të vazhdojnë siç janë, apo do të ndryshojnë kurs. A janë shqiptarët mirë kështu siç janë? Spitalet, çështjet e pronës i kanë në rregull? Fëmijët i kanë këtu? Jo! Ne po bëjmë atë që mundemi, është fuqia e popullit ajo që e bën ndryshimin. I ka ardhur koha ndryshimit. Prisja që diaspora jonë në Europë të ishte më energjike, se ajo matanë Atlantikut. Por kam hasur se Shqiptarët e Amerikës kanë një lidhje të fortë dhe të pabesueshme”, tha ai në një intervistë për News 24.