Astronomët kanë vëzhguar një planet të largët, i cili thuhet se mund të jetë i mbuluar tërësisht me ujë.
Vëzhgimet nga teleskopi hapësinor, James Webb i NASA-s, kanë zbuluar avuj uji, metan dhe dioksid karboni në atmosferën e ekzoplanetit i cili është sa dyfishi i rrezes së Tokës dhe ndodhet 70 vjet dritë larg.
Kjo përzierje kimike është në përputhje me një botë ujore ku oqeani shtrihet në të gjithë sipërfaqen e planetit, sipas studiuesve të Universitetit të Kembrixhit, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
“Oqeani mund të jetë mbi 100 gradë celsius i nxehtë ose më shumë”, tha Prof. Nikku Madhusudhan.
“Në presion të lartë atmosferik, një oqean kaq i nxehtë mund të jetë ende i lëngshëm, por nuk është e qartë nëse do të ishte i banueshëm”, shtoi ai.
Ky interpretim po kundërshtohet nga një ekip kanadez që bëri vëzhgime shtesë të të njëjtit ekzoplanet, i cili njihet si TOI-270 d.
Ata zbuluan të njëjtat kimikate atmosferike, por argumentojnë se planeti është shumë i nxehtë për të poseduar ujë të lëngshëm.
Cilado qoftë e vërteta, këto vëzhgime shfaqin njohuritë mahnitëse që teleskopi po na dhuron për natyrën e planetëve përtej sistemit tonë diellor.
Teleskopi kap dritën e yjeve që filtrohet nëpër atmosferat e planetëve të cilët rrotullohen për të dhënë detaje të elementeve të pranishme kimike. Nga kjo, astronomët krijojnë një pamje të kushteve në sipërfaqen e një planeti, dhe tregojnë se a ka gjasa që të zhvillohet jeta aty.
Dëshmia për oqeanin e TOI-270 d bazohet në mungesën e amoniakut, të cilin kimia e parashikon se duhet të jetë natyrshëm i pranishëm në një atmosferë të pasur me hidrogjen. Sipas Madhusudhan, bota e quajtur ‘hycean’ është një botë me një oqean ujor nën një atmosferë të pasur me hidrogjen.
Por, hipoteza e botës ‘hycean’ po vihet në dyshim nga Prof. Björn Benneke i Universitetit të Montrealit.
“Temperatura në këndvështrimin tonë është shumë e lartë që uji të jetë i lëngshëm”, tha Benneke duke shtuar se atmosfera e ekzoplanetit duket se përmban sasi të konsiderueshme avull uji sa që ekzistenca e një oqeani të jetë e besueshme.