Avokati Gylsen Zhllima është shprehur se administratori ose drejtuesi teknik i fabrikës ku ndodhi shpërthimi me 2 viktima dhe disa të plagosur në Lushnjë, mund të dënohet nga 5-35 vite burg.
Sipas tij ata mund të dënohen nën akuzën për shkelje të rregullave në punë, me pasojë vdekjen dhe plagosjen e disa personave.
Avokati sqaron gjithashtu që dënime të tilla zakonisht shkojnë deri në 7 vite burg.
“Shkelja e rregullave në punë që nënkupton që kur ka shkaktimin e vdekjes së një personi dhe dëmtime për persona të tjerë të plagosur. Për shkak se këtu kemi persona që kanë humbur jetën dhe persona të plagosur po nga e njëjta vepër penale, do të thotë që dënimi është jo më pak se 5 vite, por në maksimum shkon në 35 vite.
Kjo është për administratorin dhe personin përgjegjës. Në rast ke ka drejtues teknik, atëherë është për drejtuesin teknik. Ata mbajnë përgjegjësi penale. Pas 2017 dënojmë edhe subjektin juridik. Pra 3 persona. Duhet të kemi parasysh që këto raste zakonisht shkojnë nga 7 vite e poshtë. Te ky rast duhet të shihet edhe roli që kishte deputeti aty”, tha Zhllima në një intervistë për Euronews Albania.