Rama në pushtet, e ka përmirësuar apo e ka përkeqësuar edhe me shumë varfërinë në Shqipëri, në këta 11 vite që ai po drejton?
Kjo kërkon një analizë, por mua më duhet ta filloj këtë analizë që nga viti 1992, kur në Shqipëri, në katër vjet, u shkatërruan 500 fabrika dhe uzina.
Prandaj…
I.
Unë i kërkoj SPAK të fillojë menjëherë procesin penal për shkatërrimin e 500 fabrikave dhe uzinave, që ndodhi në Shqipëri gjatë viteve 1992 – 1996.
Në të njëjtën kohë duhet të kujtohemi se në ligjin për tokën, jashtë çdo koncepti ekonomik, mos investimi në spektër të gjerë të fermerëve privatë, të dalë nga reforma e vitit 1992, solli varfërinë ekstreme në Shqipëri dhe vijimin me ritme të shpejta të shpopullimit të Shqipërisë.
Askush nuk flet sot për varfërinë në Shqipëri, por kryeministri aktual Rama, e ka detyrë t’i shpjegojë opinionit publik dhe të japë llogari për gjendjen e varfërisë ekstreme në Shqipëri.
II.
Duhet ta pranojmë se shkatërrimi i industrisë së Shqipërisë në periudhën 1992 – 1996, e ka sjellë gjendjen që, në këtë kohë sot, ne nuk kemi si komb asnjë lëvizje drejt një progresi integral për ngritjen e prodhimit industrial në Shqipëri, sepse prodhimi industrual sot është ende i paralizuar.
Asgjë nuk po lëviz me përjashtim të emigracionit. Emigrantët shqiptarë në Perëndim u dërgojnë para familjeve në Shqipëri, kurse të rinjtë që janë në Shqipëri, po kërkojnë mënyrën ajrore për të emigruar në Perëndim.
Po qeveria Rama në Tiranë?
Pyetje e kotë kjo, pse vërtet mendoni se ka aftësi Rama të drejtojë ekonominë e Shqipërisë; të fillojë industrializimin e saj, të cilin e hodhi në erë Sali Berisha me bandën e tij në periudhën 1992-1996?
Rama nuk e ka asnjë mundësi që të na japë edhe një skemë ekonomike për zhvillimin integral të prodhimit bujqësor.
Rama madje nuk kupton dot as se si duhet të rritet prodhimi bujqësor. Rritja e prodhimit bujqësor është shkencë, por nga qeveria Rama po dëgjojmë vetëm përralla që nuk kanë lidhje me ekonominë.
Sipas pikëpamjes sime, Rama nuk e ka këtë aftësi… por edhe duhet pyetur: a e dëshiron Rama vetë zhvillimin e Shqipërisë, apo edhe ky është një lloj Berishe i modelit të vet?
Kjo kërkon informacion nga aleatët tanë, sepse ata tani e njohin mirë bëmën makabër të Sali Berishës në Shqipëri.
III.
Po a jemi ne të sigurt që Sali Berisha si president dhe Aleksandër Meksi si kryeministër në vitet 1992 – 1996 kanë shkatërruar 500 fabrika dhe uzina në Shqipëri dhe, me ligjin e tokës jashtë investimit me anë të kredive bankare, paralizuan plotësisht ekonominë Shqiptare?
Por, ne tani kemi një fakt konkret se:
Përpara disa vjetësh, në parlamentin e Serbisë në Beograd, një deputet u ngrit me mburrje dhe deklaroi: “Ne, me 40 milionë dollarë, kemi shkatërruar 500 fabrika dhe uzina në Shqipëri”.
Por, ne e dimë tashmë se të gjitha uzinat dhe fabrikat në Shqipëri në vitet 1992 – 1996, u shmontuan dhe u shitën për skrap. Por, ama, vetëm përpara rreth tre vjetësh e kuptuam më në fund se ky shkatërrim ishte bërë me urdhër të Beogradit.
Turp i madh dhe një krim kombëtar është ky, nga më të shëmtuarit që kanë ndodhur në Shqipëri.
Por, thuajse e njëjta gjë është bërë nga fluksi Berisha edhe në prodhimin bujqësor.
IV.
Por, Berisha tani është nën arrest, i akuzuar për korrupsion dhe është edhe nongrata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me akuzën për korrupsion, me gjithë familjen e tij.
Po SPAK, a do ta hetojë dhe faktin e shkatërrimit të 500 fabrikave dhe uzinave në Shqipëri, i cili flet për një krim të madh antikombëtar të urdhëruar nga Beogradi?
Ky është një krim i parashikuar nga neni 208 i Kodit Penal, i cili flet për “dorëzimin e territorit një shteti të huaj me qëllim cënimin e pavarësisë dhe integritetetit të Shqipërisë”.
Prandaj duhet të kuptohemi se prishja e 500 fabrikave dhe uzinave janë territor i gjerë i Shqipërisë, i cili i është dhënë një shteti të huaj për t’i cënuar integritetin kombëtar me anë të një dëmi të madh ekonomik.
Dhe ky dëm ekonomik e ka dëmtuar shumë Shqipërinë në funksion të ripërtëritjes së saj kombëtare, e cila nuk është kryer ende sot, edhe pse kanë kaluar 32 vjet.
Të shohim.
Por…
Unë i bëj thirrje SPAK të fillojë procesin penal për krimin më të rëndë kombëtar që ka ndodhur në Historinë e Shqipërisë në periudhën 1992 – 1996. Dhe në rast se mendohet që atë krim e kap parashkrimi i veprës penale, është gabim sepse neni 208 i K.P. është një krim, i cili dënohet deri me burgim të përjetshëm, dhe në bazë të nenit 66 të Kodit Penal nuk mund të parashkruhet.
Të gjitha provat i ka SHISH, dhe këto prova janë të mbledhura edhe nga Uashingtoni, kur Berisha u shpall nongrata në Amerikë “për korrupsion të lartë”.
Por, nëse provat nuk i janë mbledhur të gjitha, atëherë SPAK dhe SHISH bashkë, duhet t’i mbledhin provat dhe t’ia bëjë të qartë këtë çështje edhe opinionit publik shqiptar.
IV.
A e dini ju që, po të mos ishin shkallmuar 500 fabrikat dhe uzinat e Shqipërisë, dhe, pasi ato t’i rinovonte kapitali privat me teknologjinë e kohës, Shqipëria sot do të ishte një shtet shumë i zhvilluar dhe rrogat e punonjësve do të ishin nga 5000 e deri në 7000 Euro në muaj; ndërsa rrogat e administratës dhe profesioneve të larta intelektuale do të ishin mbi 10 000 euro në muaj.
Por, ky fakt, do të kishte krijuar ndërkohë edhe një sistem bankar modern dhe tani sigurisht që Banka Kombëtare e Shqipërisë do të ishte në të njëjtën linjë me Eurosistemin që po kërkohet të arrihet në Bashkimin Evropian.
Kurse zhvillimi financiar i Shqipërisë do të kishte dalë tani nga kthetrat e mediokritetit dhe krediti bankar, i marrë normalisht nga kapitali privat, do ta kishte lulëzuar tregun financiar dhe tregun e mallrave; do të kishte gjallëruar në maksimum Universitetin e Tiranës dhe sidomos Universitetin Politeknik, kurse vetë emigracioni i shqiptarëve në Perëndim do të ishte sa një e treta e shifrës prej dy milionë shqiptarësh që është sot dhe që kanë emigruar të shtyrë nga kushtet mizerabël ekonomike që krijoi Berisha e co. në Shqipëri; një gjendje kjo që po vijon ende dhe sot.
V.
Ja cila është tabloja e gjendjes ekonomike të rënduar nga niveli shumë i vogël i prodhimit bujqësor, në një kohë që nuk mund të flitet fare për prodhimin industrial.
Shqipëria sot është vendi më i varfër në Evropë, me një varfëri që të krijon mendimin se Shqipëria nuk ka fare një qeveri që di të punojë me efiçencë për shqiptarët.
Është ende prapambetje e madhe shoqërore dhe varfëri ekstreme fakti që 31% e prodhimit ekonomik në Shqipëri shkon për ushqim.
Por duhet ta dimë se Evropa e Bashkuar e ka këtë 6.6 %
E pra…
Ja, kjo është gjendja reale ekonomike sot në Shqipëri, e cila është pesë herë më e ulët se e Bashkimit Evropian. Dhe kjo sigurisht që quhet varfëri ekstreme.
Por…
Pikërisht këtu na lind kjo pyetje: Si e ka gjetur kryeministri Rama kur erdhi në pushtet këtë raport, dhe a e ka përmirësuar apo e ka përkeqësuar edhe me shumë varfërinë shqiptare?
Kjo është pyetja që i bëhet çdo kryeministri në një vend demokratik, dhe ne do të vijojmë që t’i përgjigjemi gjerësisht kësaj pyetjeje, në këtë artikull i cili vijon…