Viktor Orban është një nga politikanët më me përvojë të Evropës, por ai mund të ketë filluar “ta lëshojë dorën”, duke u bërë problem për aleatët. Për vite me radhë, lideri hungarez populist i ekstremit të djathtë, kryeministër nga viti 1998 deri në 2002 dhe përsëri që nga viti 2010, ka kërkuar vazhdimisht të ketë më shumë peshë në politikën ndërkombëtare. Ai ka “ushqyer” marrëdhënie me autokratë anembanë globit, ka financuar projekte jashtë vendit dhe ka përdorur vazhdimisht fuqinë e Budapestit për të vënë veton ndaj vendimeve të rëndësishme të Bashkimit Europian si mjet pazaresh, për të përfituar fonde ose “lëshime”. Ai ka nxjerrë në pah betejat e qeverisë hungareze me Brukselin, ndonjëherë duket edhe sikur shpik edhe konflikte, dhe e ka portretizuar veten si një forcë udhëheqëse në skenën evropiane. Por gjatë javëve të fundit, aleatët e tij brenda Evropës janë acaruar më shumë me liderin hungarez, i cili është gjithnjë e më i izoluar.
“Pushtimi” i Brukselit
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban tha dje se ishte gati të marshonte drejt Brukselit dhe të “pushtonte” zemrën e BE-së përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ndërsa partitë opozitare mbajtën mitingje anti-qeveritare në të gjithë Budapestin. Orban, një nacionalist që ka qenë në pushtet për 14 vjet, shpreson se partia e tij Fidesz do të fitojë nga një rritje e mbështetjes së ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën ndërsa përgatitet të marrë presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian për gjysmën e dytë të vitit. Duke folur në një tubim në Budapest për të festuar ditën kombëtare të Hungarisë, e cila përkujton Revolucionin Hungarez të 1848 kundër monarkisë Habsburge, Orban tha se zgjedhjet evropiane ishin një shans për të dalë në mbrojtje të Hungarisë. “Nëse duam të mbrojmë lirinë dhe sovranitetin e Hungarisë, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të pushtojmë Brukselin”, tha Orban në mbledhjen e rreth 1000 mbështetësve të tij. “Ne do të marshojmë drejt Brukselit dhe do ta sjellim vetë ndryshimin në Bashkimin Evropian”, tha ai. Ai tha se veprimet e BE-së po godasin fermerët, po dëmtonin klasën e mesme, po dëmtonin kompanitë, “dhe mbi të gjitha, duke e çuar Evropën në luftë”. “Ne nuk do të pranojmë që Brukseli i la të qetë evropianët, për më tepër u kthye kundër tyre”, tha Orban.
Sfidat e Orban
Partitë opozitare mbajtën mitingje më vonë gjatë ditës, ku disa mijëra morën pjesë në një ngjarje të organizuar nga Peter Magyar, një biznesmen dikur i afërt me Fidesz, i cili tha se së shpejti do të hapte një parti të re për të sfiduar qeverisjen e Orban. “Pavarësisht se çfarë gabimesh ka Bashkimi Evropian, ky është klubi ku ne jemi anëtar,” tha Magyar, duke theksuar rëndësinë e punës së bashku me Brukselin. Magyar muajin e kaluar bëri disa deklarata të bujshme n% lidhje me punën e brendshme të qeverisë hungareze. “Është e mundur të jetosh pa demokraci, por nuk ia vlen,” tha ai dje, duke shtuar se regjimi i Orban mund të mposhtet në zgjedhje demokratike, “ndoshta më shpejt se sa mendojnë shumë”. Sipas të dhënave nga anketuesi Median, të publikuara nga e përjavshmja e lajmeve HVG këtë javë, 68% e votuesve kanë dëgjuar për hyrjen e Magyar në fushën politike dhe 13% e tyre thanë se kishin të ngjarë të mbështesnin partinë e tij.
Presidenca e BE-së
Hungaria do ta gjejë veten në timonin e BE-së menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme evropiane. Megjithatë, janë ngritur pyetje nëse qeveria e Viktor Orban, e cila ka qenë në pikëpyetje të BE-së për vite me radhë për shkak të përkeqësimit të vlerave të saj themelore, mund të konsiderohet një ndërmjetës i ndershëm. Për herë të parë, një vend që është subjekt i një procedure të nenit 7 dhe i ka ngrirë një pjesë e madhe e fondeve të BE-së për shkak të mangësive të sundimit të ligjit, do të kryesojë mbledhjet ministrore të bllokut dhe do të vendosë axhendën.Disa e shohin presidencën e BE-së si një mundësi për t’i dhënë fund izolimit të Hungarisë brenda BE-së për konfliktin e saj me institucionet evropiane dhe qëndrimin e saj pro-Kremlinit për luftën në Ukrainë. Por ka edhe shumë të tjerë që nuk janë aspak optimistë, dhe jo pa arsye.