Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari thotë se hapja e bazës ajrore të NATO-s do t’i sjellë zhvillim këtij qyteti.
Në një intervistë televizive, Hajdari u shpreh se gjithashtu do të ketë edhe forcim të ushtrisë, si dhe do të rriten kapacitetet.
Hajdari shtoi se ka si objektiv, që bashkia të ndërtojë me ndihmën e qeverisë, një muze të forcës ajrore.
“Flasim për pritshmëritë që ne kemi përsa i përket zhvillimit ekonomik, që mund të krijojë ekzistenca e kësaj baze këtu në Kuçovë. Në fakt, ne kemi, edhe eksperienca të mëparshme, flasim për stërvitjen që është bërë në vitin 2021, “Defender Europe”, ku në këtë bazë u instalua prej gati 3 muajsh, një forcë e madhe ushtarake e NATO-s që kreu stërvitjen në territorin e Shqipërisë dhe konkretisht në qytetin e Kuçovës. Gjatë atyre muajve, këtu pati një zhvillim shumë të madh të atij zinxhiri të vogël ekonomik. Eksperienca e fituar gjatë atyre 3 muajve, një pjesë e punonjësve të Kuçovës, por jo vetëm, fituan eksperiencë dhe vazhdojnë kontrata me ushtrinë amerikane apo të NATO-s edhe në vende të tjera jashtë Shqipërisë.. Kjo tregon që jo vetëm për atë personelin që do të vijë, personeli ushtarak shqiptar apo të huaj, ne urojmë që të kemi perosnal sa më të madh personel të huaj, aq më të mëdha do të jenë përfitimet. Këtu synojmë që të jetë efekti më i përgjithshëm, te pjesa e pronave.
Në fakt, pjesa e pronave ka filluar të rritet, që prej 2-3 vitesh, që kur doli lajmi që do investohet në bazën e NATO-s. Edhe vetë ministria e Mbrojtjes ka filluar të bëjë rikonstruksionin e shtëpisë së ushtarakëve, e cila do të jetë një ambient që do të presë personelin e huaj. Sa i perket rrethimit të bazës, pushteti lokal është i pafuqishëm, i përket ministrisë së Mbrojtes dhe qeverisë investimi dhe menaxhimi. Ajo që kërkojmë ne, është që duke qenë se emri i Kuçovës do të dëgjohet më shumë, pse jo, të jetë në veshin apo vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.
Një nga objektivat që kemi, shumë shpejt, brenda këtij viti apo maksimumi vitin tjetër, me ndihmën e qeverisë, duam të ndërtojmë një muze të forcës ajrore. Kuçova ka një histori si qytet, gati 100-vjeçare. Është e ndërtuar nga nafta dhe ushtarakët, posaçërisht nga aviacioni. Këto dy pjesë të historisë së saj, t’i kemi pjesë të një muzeu. Baza e Kuçovës ka qenë e veçantë dhe synojmë për vizitorët, kryesisht të huaj, të kujtojnë nocionin e ish Luftës së Ftohtë”, theksoi ai.