MENU
klinika

“Duhet më shumë punë”

Emigrantët nuk do të votojnë as në 2025-ën, Celibashi: Kodi Zgjedhor nuk ka dispozita të mjaftueshme

16.03.2024 - 11:54

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, thotë se votimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, momentalisht është i pamundur të realizohet. Ai tha se kjo është konfirmuar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe se dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk janë të mjaftueshme për ta realizuar.

Ai tha gjithashtu se partitë politike dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të punojnë më shumë për ta bërë të mundur votën e emigrantëve.

“Ndoshta është mirë të themi se ne jo se nuk e lejojmë votimin nga jashtë, por nuk e aplikojmë. S’do them ndonjë gjë më shumë, me këtë çështje ne kemi adresuar ndryshimet e ligjit zgjedhor në vitin 2020. Të paktën kemi tentuar për ta bërë këtë gjë në mënyrë serioze.

Kemi angazhuar disa dispozita të kodit zgjedhor lidhur me këtë çështje, por tashmë konfirmuar edhe nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, kemi kuptuar që ato dispozita të kodit zgjedhor nuk janë të mjaftueshme për ta mundësuar realisht votimin nga jashtë.

Do të duhet të punojmë akoma, më së pari, partitë politike dhe Kuvendi i Shqipërisë, për ta bërë të mundur në zgjedhjet e ardhshme”, tha Celibashi në një intervistë për Euronews Albania.