Drejtori i Agjencisë kombëtare të punësimit, Klevis Hysa në një intervistë në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News foli për nevojat e tregut të punës për zanate, duke renditur edhe industritë kryesore që vuajnë për forcë punëtore.
Ai u shpreh se nevoja për punonjës të kualifikuar është rritur dhe se industritë që kanë më shumë nevojë janë ato të shërbimeve, hotelerive apo edhe industritë e ndërtimit,
Gjatë kësaj interviste nënvizoi 3.5 miliardë lekë nga buxheti shkojnë për arsimin profesional.
“Nevoja për forcë punëtore është e lartë. Industritë kryesore janë ato të shërbimeve, hoteleri turizëm, industria përpunuese, ndërtimi. Është me shumë rëndësi që bizneset të ekspozojnë nevojat që ata kanë. Ne synojmë të nxisim komunikim me biznesin dhe kemi angazhime me shkollat profesionale”, tha Hysa.
Gjithashtu nënvizoi se do të ketë më shumë investime për arsimin profesional dhe për t’i dhënë një qasje më sociale arsimit profesional dhe për t’i dhënë mundësinë të gjithë të rinjve për të pasur akses në shkollat profesionale.
“Gjatë këtij viti investimet do të jenë në rritje për t’i dhënë mundësinë shkollave profesionale të jenë në rritje. 3.5 miliardë lekë nga buxheti shkojnë për arsimin profesional”, tha më tej Hysa.
Ekspertja e Ekonomisë, Teuta Nunaj nga ana e saj theksoi se kërkesa për punë në shumë raste është shumë më e madhe se oferta që jep tregu dhe kjo sjell edhe kërkesën për paga më të larta.
Më tej gjatë kësaj interviste, Klevis Hysa ritheksoi: “Të rinjtë refuzojnë vendet e punës dhe kjo vjen kryesisht nga pagat. Por për të arritur një nivel të kënaqshëm page ne kemi strategji të qartë për të rritur kapacitet të forcës së punës, dhe për të pasur një digjitalizim të të gjitha proceseve. Pra për të reflektuar kërkesat që tregu i punës ka. Do të theksoja se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me biznesin është shumë i rëndësishëm. Mund të them se shkollat profesionale shqiptare janë gati për të hyrë në këtë modalitet të ri.
Erisa Arizi: Rritja e pagave nuk duhet të jetë prioritet vetëm në shtet, por duhet të jetë edhe në privat. Kjo sjell edhe pasojat e veta, dhe sot flasim për pakënaqësi për pagat. Por mund të theksoj që bizneset duhet të vlerësojnë performancën e punonjësve.