MENU
klinika

Analiza

Biden po e dobëson ndikimin global të SHBA

22.03.2024 - 09:15

Nëse Ekipi Biden dëshiron një botë me më pak sfida ndaj rendit amerikan, ai duhet të rivendosë respektin për fuqinë, kompetencën dhe vullnetin amerikan.Hapi i parë do të ishte paraqitja e një buxheti serioz të mbrojtjes në Kongres, një projekt që duhet të tregojë vendosmërinë e Amerikës për të mbështetur miqtë tanë dhe për t’i penguar kundërshtarët tanë të dominojnë në rajonet kryesore të botës. Hapi i dytë është vrasja e disa sorrave.

Me Produktin e Brendshëm Bruto për frymë në nivelin 545 dollarë gjatë vitit 2022, Kombet e Bashkuara e renditin Nigerin, një vend pa dalje në det, si një nga pesë vendet më pak të zhvilluara në botë. E megjithatë gjatë fundjavës që kaloi, qeveria e Nigerit iu kundërpërgjigj akuzave amerikane se po negocionte fshehurazi për t’i shitur uranium Iranit, duke i dhënë fund bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në.

Ky vendim përbën një fitore tjetër në përpjekjet e Vladimir Putinit për të zgjeruar fuqinë e Rusisë, një nxitje e mirëpritur për Iranin dhe një goditje serioze ndaj planeve të Amerikës për të parandaluar rikthimin e dhunës xhihadiste në një pjesë të Afrikës.

Por është gjithashtu një shenjë më shumë se administrata Biden po e humbet aftësinë e saj për të diktuar ngjarjet ndërkombëtare. Duke e sfiduar presidentin Joe Biden, junta ushtarake e Nigerit po i bashkohet një tendence globale.

Putini i ka ripërtërirë kërcënimet e tij për përdorimin e armëve bërthamore, refuzon të flasë për diplomaci, dhe po lë të kuptohet se ka ambicie edhe më të mëdha, ndërsa po e vazhdon pushtimin e përgjakshëm të Ukrainës. Irani po ndihmon një nga micilitë e mbështetura prej tij që të bllokojë kalimin e anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Ndërsa një tjetër po lëshon raketa drejt Izraelit. Koreja e Veriut po i forcon shumë forcat e saj bërthamore dhe konvencionale. Kina po rrit masivisht shpenzimet saj në mbrojtje, teksa vazhdon të zgjerojë avantazhet e saj në të gjithë rajonin e Indo-Paqësorit dhe në Hemisferën Perëndimore.

Nga Haiti në Sudan, kryekomandantët e luftës dhe bosët e bandave kriminale po këmbëngulin të sabotojnë përpjekjet diplomatike amerikane për të rivendosur stabilitetin. Fuqia në rënie e administratës Biden për të penguar kundërshtarët tanë, është problemi më i madh për politikën e jashtme amerikane, për paqen botërore dhe potencialisht edhe për rizgjedhjen e presidentit aktual.

Ashtu si një dordolec që nuk i tremb dhe pengon më zogjtë e uritur që të hanë misrin në arë, edhe Ekipi Biden po e humbet aftësinë e tij për të parandaluar fuqitë armiqësore që të dëmtojnë themelet e rendit botëror të udhëhequr nga Amerika.

Sigurisht, faji nuk është i gjithi i Joe Biden. Politika e jashtme amerikane ka qenë humbëse, të paktën që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003. Dhe disa nga faturat për marrëzitë e së kaluarës, Amerikës po i vijnë pikërisht tani.

Nën drejtimin e presidentëve nga të dyja partitë politike, ne nuk e kemi mbajtur dot ritmin e rritjes ushtarake të jashtëzakonshme të Kinës. Po ashtu, jemi përgjegjës përse kemi lejuar degradimin e infrastrukturës industriale që mbështet fuqinë tonë ushtarake.

Vladimir Putin sulmoi Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe Ukrainën në vitin 2014. Në të dyja rastet, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë nuk arritën të kundërpërgjigjen në një mënyrë efektive. Politika e brendshme amerikane, vazhdon që ta pakësojë ndikimin global të Amerikës.

Mundësia që Donald Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025 dhe të ndryshojë shumë politika të epokës së Joe Biden, e dëmton besueshmërinë e Ekipit Biden, si në raport me miqtë ashtu edhe me armiqtë.

Dhe sondazhet që tregojnë rritjen e ndjenjës së izolacionizmit në SHBA, kanë nxitur shumë udhëheqës të huaj të besojnë se Amerika është një forcë në rënie sa i përket çështjeve globale. Por nëse erozioni i fuqisë frenuese të Amerikës nuk është i gjithë faji i zotit Biden, fakti është se politikat e tij nuk po e ndalin apo prapësojnë këtë rënie.

Nga tërheqja e kryer në një mënyrë katastrofike nga Afganistani, deri tek vonesa në dërgimin e armëve të përparuara në Ukrainë përballë kërcënimeve të Vladimir Putinit, Shtëpia e Bardhë e Joe Biden po lëviz hap pas hapi duke i mësuar miqtë dhe armiqtë që ta shohin SHBA-në si një fuqi në rënie.

US President Joe Biden (R) shakes hands with South Korea’s Foreign Minister Park Jin upon arriving at Osan Air Base in Pyeongtaek on May 20, 2022. (Photo by Saul LOEB / AFP)

Kërkesa e madhe por e pamjaftueshme e buxhetit të mbrojtjes për vitin 2025, e bërë publike nga administrata javën e kaluar, është një nxitje për armiqtë tanë që të zgjerojnë planet e tyre të luftës. Ekipi Biden po i thotë botës se Amerika po e shkurton buxhetin e mbrojtjes në terma realë, edhe pse kërcënimet e luftës po rriten nga çdo anë.

Në fjalimin e tij më të fundit mbi gjendjen e vendit, presidenti Biden e krahasoi këtë vit me 1941-shin, pra si vitin e një rreziku madhor lirinë në mbarë botën. Në vitin 1941, presidenti i kohës Franklin D. Roosevelt 4-fishoi shpenzimet në mbrojtje.

Ndërkohë asgjë nuk mund të jetë më larg atij niveli sesa plani aktual i Joe Biden. Një buxhet mbrojtjeje në rënie reale, është një nga sinjalet e shumta të tërheqjes nga skena globale që po i tregon botës Shtëpia e Bardhë. Ne ia kemi bërë të qartë Vladimir Putinit, se kërcënimet e tij bërthamore mbi Ukrainën, e dobësojnë vendosmërinë tonë në vend se ta forcojnë atë.

President Joe Biden arrives on Air Force One at Roland R. Wright International Guard Base, Wednesday, Aug. 9, 2023, in Salt Lake City. (AP Photo/Alex Brandon)

Koreja e Veriut beson se nuk ka asnjë arsye për t’iu frikësuar SHBA-së. Pastaj është Lindja e Mesme. Deti i Kuq është pothuajse i mbyllur për anijet tregtare. Gaza vazhdon të jetë në flakë. Një luftë e re po zien në kufirin verior të Izraelit. Milicitë iraniane po grumbullohen në Irak, ndërsa aleati i Iranit Bashar Al-Assad, po e forcon pozitat e tij në Siri.

Irani po e ndihmon agresionin e Rusisë në Ukrainë, ndërsa po forcon lidhjet me grupet kriminale dhe regjimet diktatoriale në Hemisferën Perëndimore. Ndërsa Kina mendon për pasojat e bllokimit të Tajvanit, ajo po vëzhgon me kujdes se si Ekipi Biden po e trajton Iranin.

Deri më tani, hapat janë anemike dhe nuk po frikësojnë askënd. Zakonisht sorrat grumbullohen aty ku dështojnë të bëjnë punën e tyre dordolecat. Nëse Ekipi Biden dëshiron një botë me më pak sfida ndaj rendit amerikan, ai duhet të rivendosë respektin për fuqinë, kompetencën dhe vullnetin amerikan.

Hapi i parë do të ishte paraqitja e një buxheti serioz të mbrojtjes në Kongres, një projekt që duhet të tregojë vendosmërinë e Amerikës për të mbështetur miqtë tanë dhe për t’i penguar kundërshtarët tanë të dominojnë në rajonet kryesore të botës. Hapi i dytë është vrasja e disa sorrave.

Plani i Trump do të përfundojë “në plehra”

Putin kërkon “kokën” e Zelensky, nuk heq dorë nga synimi kryesor

“Po shkojmë drejt konfliktit global”

Putin kërcënon SHBA-të: Nëse vijoni provokimet…!

Kremlini kërcënon me armët bërthamore

Shumë ekspertë mendojnë se Putin po luan “blofin”

Nga fansi i Putinit tek “Dr. Oz”

Më të rrezikshmit në kabinetin e Donald Trump

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!