Bandat shqiptare, pjesë e raportit të Kongresit Amerikan mbi kaosin në Ekuador…
Bandat shqiptare duket se janë kthyer në shqetësim për kontinentin amerikan. Pak kohë më parë në Ekuador pati një krizë të thellë sigurie, pasi bandat tentuan të marrin kontrollin e rendit dhe kjo solli përplasje me policinë.
Kongresi Amerikan ka hartuar një raport mbi situatën në Ekuador dhe ajo që bie në sy është se aty përmendet Shqipëria.
Sipas raportit, grupet shqiptare janë futur fuqishëm në Amerikën Latine dhe duan të kapin rrugët e kokainës. Aty thuhet se një ndër shkaqet e krizës në Ekuador është përplasja e mafies shqiptare me atë meksikane.
“Ekuadori ka parë një rritje të mprehtë të dhunës gjatë katër viteve të fundit, që i atribuohen kryesisht luftërave për pushtet mes bandave të lidhura me organizata kriminale transnacionale, duke përfshirë kartelet meksikane dhe mafien shqiptare, që luftojnë për kontrollin e rrugëve të trafikut të drogës, siç janë portet. Shkalla e vrasjeve pothuajse u dyfishua nga viti 2021 deri në vitin 2022, duke arritur pothuajse 26 për 100,000 persona, një normë e barabartë me Kolumbinë dhe Meksikën. Disa vëzhgues vlerësojnë se norma tejkaloi 44 vrasje për 100,000 në 2023, duke kapur normat më të larta në Amerikën Latine. Si reagim presidenti Lasso shpalli gjendje të shumta të jashtëzakonshme, por nuk arriti të shuante dhunën. Organizatat pretendohet se kanë korruptuar gjerësisht zyrtarë, gjyqtarë, policë, apo ushtarakë”, thekson raporti.
Pra duket se bandat shqiptare po kthehen në problem. Kohët e fundit janë vrarë shumë shqiptarë në Ekuador apo Kolumbi, duke dëshmuar se prezenca e tyre te vendet ku prodhohet kokaina është rritur. Por duket se grupet janë forcuar aq shumë, sa kanë filluar të ndikojë te rendi dhe politika vendase.