MENU
klinika

Nga heqja e dinarit te marrëveshja e Ohrit

Kosova dhe Serbia takim sot në Bruksel

19.03.2024 - 10:46

Temë diskutimi do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e dinarit serb, që ka sjell mjaft tensione mes dy vendeve.

Kosova dhe Serbia do të ulen sërish sot në tavolinën e negociatave.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pritet të takohen sot në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE, Miroslav Lajçak.

Temë diskutimi do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e dinarit serb, që ka sjell mjaft tensione mes dy vendeve. Ndërkohë, po ashtu do të diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, e cila tashmë ka bërë një vit nga nënshkrimi, por palët ende nuk kanë nisur zbatimin e saj.

Një ditë para këtij takimi, për dinarin ka folur presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se Kosova dhe Serbia kanë arritur progres shumë të kufizuar.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës ndaloi përdorimin e dinarit serb.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë dhe ua nis atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë në valutën e vet, dinarin.

Komuniteti ndërkombëtar i ka reaguar ashpër Kosovës për zbatim të rregullores, duke thënë se nevojitet një plan i qartë që nuk dëmton komunitetin serb, dhe se afati për zbatimin e saj ka qenë shumë i shkurtër.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar më 15 mars se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Blloku evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kritikuar vendimin për dinarin, duke thënë se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që ka te komuniteti serb.

Uashingtoni i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë pezullojë vendimin, por deri më tani Qeveria e Kosovës nuk ka shfaqur sinjale se do të tërhiqet nga kjo rregullore.