MENU
klinika

Vuçiç i kërcënoi

Kurti publikon pamjet: Forcat serbe i janë afruar kufirit

22.03.2024 - 11:48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar disa pamje ku thotë se gjatë ditës njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

Ndonëse njofton se po i vëzhgojnë me kujdes lëvizjet, kryeministri Kurti thotë se ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake serbe, nuk është normal, sipas mediave në Kosovë.

“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.
Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.
Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”,
shkruan Kurti

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një takim me presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik kërcënoi hapur Kosovën se mund të hynin me forcë.

“Nëse ata zgjedhin Kosovën, Serbia do të presë për momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar”, ka thënë presidenti gjatë një eventi.

Lidhur me këtë kërcënim reagoi Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i cili ka nënvizuar se Kosova dhe populli i Kosovës nuk duhet të ndihen të shqetësuar pasi aleanca më e fortë ushtarake është në Kosovë.

“SHBA ka qëndruar fuqishëm për paqen e njerëzve në Kosovës. Mund të them që jemi të përkushtuar për sigurinë e Kosovës. Ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim sepse ne besojmë që NATO është e gatshme dhe e përgatitur. Dhe nuk mendoj që as njerëzit e Kosovës duhet të mbesim pa gjumë sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme dhe është e gatshme të bëjë të nevojshmen. SHBA mbështet popullin e Kosovës dhe FSK-në, si forcë multietnike për mbrojtje territoriale. Kosova përballet më një sfidë me disa anëtarë të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën… dëshirojmë ta shohim të ardhmen e Kosovës në NATO. Presim që Kosova të jetë anëtare e plotë e NATO-s”, u shpreh Hovenier.

Ndërkohë, Rusia vazhdon që të tentojë të përdorë rastin e Kosovës për të justifikuar veprimet e saj kundër Ukrainës.

Përfaqësuesit e Putinit kanë thirrur një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, gjë e cila u krye për të parandaluar krimet makabre ndër civilë në Kosovë.

Rusia njoftoi se seanca do të mbahet të hënën e 25 marsit, ndërsa pretendohet se kjo ka nxitur zemërimin e përfaqësuesve të perëndimit.