MENU
klinika

Vizita në Prishtinë

Robinson: SHBA mbështet Kosovën në çdo hap!

21.03.2024 - 14:32

Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-ve, Todd D. Robinson, ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për Kosovën.

Gjatë një konference për mediat me presidenten Osmani, Robinson tha se fakti që është në Kosovë tregon edhe mbështetjen në atë çfarë po bën Kosova.

Ai shprehet se po punojnë për një Kosovë më të mirë sot dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen.

“Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që policia po punon, për atë që shërbimet e sigurisë po bëjnë, për qytetarët kosovarë, mendoj se me të vërtetë është e rëndësishme. Porosia ime për ta dhe për ju të gjithë do të ishte që Shtetet e Bashkuara janë këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë sot dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen. S’është hera e parë që jam në Ballkan, kam punuar edhe në rajon më herët. Po më duket sikur jam kthyer në shtëpi dhe mirëpres mundësinë për të parë edhe më shumë nga vendi juaj”, tha ai.

Ndërsa Osmani, gjatë fjalës së saj falenderoi Robinsonin për kontributin në Kosovë.

“Sapo përfundova një takim shumë pozitiv dhe përmbajtësor. Siç potencova në takim, Kosova është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen që Byroja Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit i ka ofruar institucioneve tona përgjatë viteve. Mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektor strategjik dhe në çdo hap të procesit të shtetndërtimit tone.

Robinson ka qenë ndër njerëzit që ka dhënë kontribut përgjatë viteve. Më njoftoi se si ka punuar me sekretaren Albright. Kjo është një dëshmi se sa shumë njerëz ka edhe sot në administratën amerikane që kanë dhënë kontribut për dekada të tëra që Kosova të jetë këtu ku është sot. Natyrisht ndër ta është edhe ambasadori Hovenier”, tha Osmani.