MENU
klinika

E rrallë!

Një burrë ka marrë 217 vaksina kundër Covid-19, por a pati efekte anësore?

08.03.2024 - 08:03

Një shtetas gjerman ka bërë 217 vaksina kundër virusit Covid-19, gjatë një periudhe 29-mujore dhe nuk pati asnjë efekt anësor të lidhur me vaksinën, madje as nuk u infektua nga Covid-19.

62-vjeçari nga Magdeburg, Gjermani, u cilësua nga mjekët si “hipervaksinuar” dhe tha për studiuesit e universitetit “Erlangen-Nuremburg” se dispononte një numër të madh vaksinash, të cilat i kishte marrë “për arsye private”.

Sipas medias Spiegel, fakti që burri kishte marrë kaq shumë vaksina, kishte nisur një hetim penal kundrejt tij, duke dyshuar për mashtrim. Sipas hetimit, burri kishte blerë vaksinat që të falsifikonte certifikatat për njerëzit që nuk donin ta bënin vaksinën.

Raportet fillestare në lidhje me studimin e tij, dhanë pak informacion dhe kështu, i rritën spekulimet. Pati mendime se burri vuante nga hipokondria paranojake (shqetësim i madh për shëndetin personal, madje edhe në mungesë të sëmundjeve organike) dhe se ndoshta kishte frikë që të infektohej nga Covid. Gjithashtu, kishte pikëpyetje nëse vaksinat ishin financuar nga ai vetë apo kishte marrë autorizime mjekësore.

Më vonë, raportet konfirmuan se hetimi penal kundër burrit ishte i vërtetë, megjithëse nuk u ngrit asnjë akuzë. Më pas, studiuesit shfaqën shumë interes për burrin në fjalë, pasi lexuan rastin në një gazetë. Ata e kontaktuan dhe morën aprovimin për të bërë analizat që duheshin, për të studiuar rastin e çuditshëm.

“Në një epokë kaq skeptike duhet ta kuptoni se vaksinat funksionojnë dhe fëmijët tanë kanë nevojë për to. Ne e kontaktuam burrin dhe e ftuam që t’u nënshtrohej testeve të ndryshme”, u shpreh Dr. Kilian Schober, duke shtuar se ai shfaqi shumë interes.

Ata e vaksinuan burrin për herë të 217-të, për qëllime studimi dhe ekipi i hulumtimit analizuan testet e mëparshme të gjakut, të bëra në periudha të ndryshme kohore, si dhe ekzaminuan mostrat e gjakut ndërsa ai vijonte të merrte të tjera vaksina.

“Vëzhgimi se asnjë efekt anësor i dukshëm nuk u shkaktua, pavarësisht nga kjo dozë e jashtëzakonshme vaksinimi, tregon se ilaçet kanë një shkallë të mirë tolerance,” tha Schober. Studiuesit zbuluan se sistemi i tij imunitar ishte plotësisht funksional.

Disa qeliza imune dhe antitrupa kundër virusit që shkakton Covid-19 (Sars-CoV-2) ishin të pranishme në nivele dukshëm më të larta, krahasuar me njerëzit që kishin marrë vetëm tre vaksina, raportoi ekipi.

Testet e mëtejshme treguan se reagimi i sistemit imunitar të pacientit ndaj viruseve të tjera mbeti i pandryshuar – provë, thanë studiuesit, se sistemi i tij imunitar nuk ishte dëmtuar duke iu përgjigjur kaq shumë vaksinimeve.

Studiuesit u shprehën se edhe pse detaje të mëtejshme rreth burrit ose motiveve të tij se pse bëri kaq shumë vaksina nuk do të bëheshin publike, ai i kishte shërbyer në mënyrë efektive të mirës së përbashkët duke demonstruar “sa mirë tolerohen vaksinat në përgjithësi”. Megjithatë, ata paralajmëruan publikun që të mos ndiqte shembullin e tij, duke thënë se vaksinat e tepërta nuk ishin përgjithësisht të këshillueshme dhe mund të shkaktonin efekte anësore të pakëndshme dhe të panevojshme. Fakti që burri – i cili kurrë nuk u prek nga koronavirusi – toleroi kaq shumë vaksina aq mirë nuk do të thoshte se kjo do të qëndronte edhe për pjesën tjetër të popullsisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Drosten: Në Gjermani pak risk nga një valë e dytë COVID-19

‘Mund të ketë shpërthime lokale, nga vjeshta’