Për 75 vjet me radhë, NATO ka ndihmuar në promovimin e një Evrope të sigurt dhe të qëndrueshme. Për ta mbështetur më tej këtë paqe të arritur me shumë vështirësi, aleanca duhet të braktisë kërkesat e saj të pabarabarta për shpenzime, të cilat më shumë krijojnë konflikte sesa zgjidhin…
NATO feston këtë vit 75 vjetorin e themelimit të saj. Por me ç’duket, mençuria nuk vjen gjithmonë me moshën. Në një aktivitet të kohëve të fundit në kuadër të fushatës presidenciale, ish-presidenti Donald Trump, kandidati thuajse i sigurt i republikanëve për zgjedhjet e nëntorit, bëri disa komente alarmante për NATO-n.
Ai deklaroi se nën drejtimin e tij SHBA do të refuzonte të mbronte vendet që nuk arrijnë pragun 2 për qind të PBB-së së tyre për shpenzimet e mbrojtjes, siç është rënë dakord që 10 vite më parë. Ekspertët dhe politikë-bërësit në të dy anët e Atlantikut e kanë përdorur kërcënimin e Trump si një shtysë për të nxitur rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, sidomos tani që Ukraina po përpiqet dëshpërimisht të ndalë përparimin e mëtejshëm të rusëve në territorin e saj 2 vite pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë.
Në fakt, vetëm pak ditë pas komenteve të Trump, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri jehonë shqetësimeve të ish-presidentit dhe deklaroi se një numër i madh vendesh evropiane anëtare të aleancës, do të përmbushin brenda këtij viti udhëzimin për shpenzimet në nivelin 2 për qind të PBB-së.
Përkushtimi i ripërtërirë i Evropës ndaj NATO-s është një zhvillim premtues. Por si Trump ashtu edhe Stoltenberg nuk po përqendrohen tek thelbi. Është e vërtetë që NATO ka një problem me shpenzimet. Por kjo jo sepse vendet partnere nuk po shpenzojnë mjaftueshëm. Përkundrazi, kjo ndodh sepse aleanca s’ka fare nevojë për një udhëzues mbi shpenzimet. I prezantuar për herë të parë vetëm në vitin 2006, dhe i vënë në veprim në mes të krizës së Krimesë të vitit 2014, udhëzimi prej 2 për qind synon të forcojë parandalimin dhe qëndrimin mbrojtës të NATO-s.
Por ai nuk është detyrues, pra që vendet ta përmbushin këtë standard. Është vetëm një objektiv i dëshirueshëm që duhet arritur me kalimin e kohës nga partnerë individualë. Kjo qasje ka prodhuar rezultate të përziera. Ka shumë arsye pse vendet anëtare nuk e arrijnë pragun prej 2 për qind të PBB në shpenzime ushtarake.
Por debati aktual nuk e prek drejtpërdrejt këtë çështje. Vënia e theksit tek rritja e shpenzimeve, favorizon sasinë mbi cilësinë dhe inputin mbi prodhimin. Po ashtu ai injoron sfidën fiskale, ku edhe një pikë referimi prej 2 për qind mund të ketë ndikim për ekonomitë më të vogla që, ashtu si vetë NATO, janë ende të mbërthyera në Luftën e Ftohtë.
Dhe nuk ka dyshime se kjo i përkeqëson tensionet me Rusinë dhe ndërlikon mundësinë e zgjidhjes së konfliktit aktual përmes kanaleve diplomatike. Por ajo ka gjithashtu efektin e paqëllimshëm të tendosjes së marrëdhënieve me SHBA-në duke nxitur një qëndrim transaksional në raport me barrën e ndarjes së kostove.
Mundësia e rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të nënkuptojë shumë gjëra për NATO-n. Evropianët duhet të përgatiten për një botë në të cilën ata nuk mund ta marrin si të mirëqenë mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës.
Kjo sepse publiku amerikan është i lodhur nga luftërat e pafundme me shpenzimet e tyre, apo thjesht siç e pranoi edhe vetë presidenti rus Vladimir Putin, Trump nuk është komandanti i përgjithshëm më i parashikueshëm. Disa partnerë të NATO-s po ndërgjegjësohen nga ky realitet i ri.
Dhe ata kanë më shumë se sa aftësitë e nevojshme për të siguruar aleancën, edhe pa mbështetjen amerikane. Por pse ta tundosh fatin? Në vend se të rrezikojë një tërheqje të plotë të forcave amerikane, NATO duhet ta kapërcejë krejtësisht këtë prag, dhe të negociojë një mënyrë të re verimi, e cila do të shfrytëzojë jo vetëm ushtritë, por edhe ekonomitë dhe marrëdhëniet diplomatike të secilit partner.
Ky fleksibilitet i shtuar, është i vonuar prej kohësh. Peizazhi i sigurisë ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga fillimi i udhëzimit për një prag minimal shpenzimesh prej 2 për qind. Në plan të parë kanë dalë sulmet kibernetike, Inteligjenca Artificiale, terrorizmi, ndryshimet klimatike, emigrimi masiv dhe një mori çështjesh të tjera.
Ato kërkojnë investime në teknologji, inteligjencë dhe aftësi jo tradicionale në fushën e sigurisë. Këto fusha nuk kërkojnë gjithmonë shpenzime ushtarake në shkallë të gjerë, duke e bërë gjithnjë e më të parëndësishme edhe normën e 2 përqindëshit.
Heqja e udhëzimit të shpenzimeve, nuk duhet të sjellë braktisjen totale të SHBA-së ndaj aleatëve të saj evropianë. Sepse ka ende hapësirë për bashkëpunim, negocim dhe partneritet të bazuar mbi tregtinë e lirë, diplomacinë, inteligjencën, madje edhe veprimet ushtarake (kur është absolutisht e nevojshme) për të përballuar kërcënimet e reja dhe në zhvillim.
Në vend se të kapet pas një shifre arbitrare, NATO duhet të miratojë një kornizë më transparente, më të nuancuar dhe më fleksibël, që merr parasysh aftësitë dhe realitetet e ndryshme ekonomike të anëtarëve të saj.
Po ashtu, ajo duhet të masë dhe raportojë të gjitha shpenzimet e mbrojtjes dhe t’i rregullojë ato në përputhje me rrethanat për të adresuar sfidat specifike të sigurisë, kushtet ekonomike dhe aftësitë strategjike. Në një periudhë afatgjatë, aleanca mund të përfitojë edhe nga krijimi i bankës së saj.
Për më tepër, përqendrimi tek rezultatet kolektive – siç është ndërveprueshmëria e zgjeruar, përparimet e përbashkëta teknologjike dhe stërvitjet e përbashkëta – mund të na ofrojnë një kriter matës më të saktë të “shëndetit” të NATO-s.
Ky model i bazuar tek aftësitë konkrete, do t’i inkurajonte anëtarët që të investojnë në zona ku mund të ofrojnë vlerën më të madhe, duke përmirësuar qëndrimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s, dhe synuar gjithashtu adresimin e shqetësimeve shumë më të lokalizuara mbi sigurinë.
NATO është më jetike sot se kurrë më parë, sepse institucionet e tjera ndërkombëtare po dëshmohen se janë garantuese gjithnjë e më të paefektshme të sigurisë dhe stabilitetit. OKB-ja e ka pranuar plotësisht paaftësinë e saj përballë krizave globale. Ndërkohë, BE-ja po përballet me dështimet e saj të shumta të politikës së brendshme.
Për 75 vjet me radhë, NATO ka ndihmuar në promovimin e një Evrope të sigurt dhe të qëndrueshme. Për ta mbështetur më tej këtë paqe të arritur me shumë vështirësi, aleanca duhet të braktisë kërkesat e saj të pabarabarta për shpenzime, të cilat më shumë krijojnë konflikte sesa zgjidhin.