Pas njoftimit se Shqipëria do të bashkëpunojë për prodhimin e armëve për Ukrainën, vendi ynë i ka kthyer sytë pikërisht nga kjo industri për të vlerësuar nëse e ka teknologjinë e nevojshme apo jo.
Artur Meçollari, ish zëvendës komandant i flotës detare thotë se për momentin nuk ka industri në Shqipëri për ta ndihmuar Ukrainën dhe duhet minimalisht 1 vit për ta ngritur.
“Duhet të ketë një proces vendimmarrës politik që të kalojë të gjitha fazat. Çështja, pyetja thelbësore është a duam ta ndihmojmë Ukrainën. Nëse Ukraina ka nevojë urgjente ti s’ke industri, duhet minimumi 1 vit për t’a zhvilluar si do ta zhvillosh”, tha Meçollari.
Ndërkohë ka folur edhe kryetari i bashkisë Gramsh, Besjan Ajazi, i cili thotë se nuk i përgjigjet teknologjisë së sotme.
“Aktualisht uzina nuk është në funksion për prodhim të armëve apo municioneve të kalibreve të ndryshëm. Nëse ish uzina e armëve do të rivihet në funksion ka impakt ekonomik. Dikur kishte 1100 punëtorë. Por specialistët e asaj kohe nuk i përgjigjen teknologjisë së re, por e kemi mundësinë të formojmë specialistët”, u shpreh Ajazi në Report Tv.