MENU
klinika

Pas përfundimit të hetimeve ndaj ish-zv/kryeministrit

Prokuroria e Posaçme merr në pyetje ish-gruan e Arben Ahmetajt

21.03.2024 - 17:01

Prokuroria e Posaçme pas përfundimit të hetimeve ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetajt, akuzat të cilit do t’ia komunikoj më 26 mars, ka marrë në pyetje ish-gruan e tij, Albin Mançka.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala ndërsa ende nuk dihet se për çfarë çështje do të pyetet.

Kujtojmë se ish-zv/kryeministri ndodhet në arrati dhe sipas SPAK, ka përfituar rryshfet nga bosët e inceneratorëve, si pasuri të paluajtshme dhe në formën e dhuratave apo pagesës së udhëtimeve.

Ahmetaj është nën hetim për veprat penale pastrim parash, korrupsion në 6 raste dhe fshehje pasurie.

Arben Ahmetaj si ish-ministër i financave dhe ekonomisë u vendos nën hetim për dosjet e inceneratorëve, mbas këqyrjeve në një kompjuter që i përket Klodian Zotos, i cili rezultoi se kishte paguar e prenotuar udhëtime luksoze për ish funksionarin, vlera e të cilave u llogarit nga SPAK në shumën e 34 mijë eurove.

Për hetimet SPAK i referohet një sërë dëshmish të biznesmenëve për që tregojnë se vilat në Palasë dhe në Hamallaj janë të lidhura me Arben Ahmetajn ndërkohë që nga një telefon “blackberry” i sekuestruar janë përftuar mesazhe dhe komunikime edhe me persona të tjerë, zyrtarë ish-zyrtarë dhe biznesmenë.

DOSJA PËR AHMETAJN

Janë mbi 300 faqe dosje që sipas SPAK zbulojnë udhëtimet e hetuara nga SPAK të Arben Ahmetaj dhe të afërmve të tij, për periudhën 2013 – 2017. SPAK thotë se Ahmetaj për vete e të afërmit ka përfituar 34 mijë euro në formën e shpenzimeve për udhëtimet nga Klodian Zoto dhe Mirel Mertiri ndërsa këta kanë përfituar kontrata.

Bëhet fjalë për 14 udhëtime dhe qëndrime në hotele luksoze nga Milano të Italisë në Monako, Vjenë të Austrisë, Frankfurt të Gjemanisë dhe Francë nga viti 2013 – 2017. Ahmetaj u emërua në postin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në shtator 2013 ndërsa SPAK në dosje thuhet se më 10 korrik 2013 në hotelin Principe di Savoia, në Milano janë paguar 1535 euro për Arben Ahmetajn dhe Erjola Hoxhën dhe miken e Erjolës.

Më pas më 15 korrik 2013 Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij Erjola Hoxha dhe shoqen e saj kanë qëndruar në hotelin Hermitage në Monako ku janë paguar 3156 euro. Ndërkohë, më 19 korrik 2016 janë paguar 10 600 euro për hotel “SPA Tiara Miramar” me pesë yje që gjendet në Cote d’Azur ose Bregu i Kaltër, një segment i bregdetit të Francës në Mesdhe. Shpenzimet më të mëdha të “luksit’ janë kryer gjatë vitit 2016 me 15 228 euro. Në dosje rezulton se dhe ish ministri Damian Gjiknuri ka qenë në një hotel me Arben Ahmetaj në Frankfurt të Gjermanisë për të cilin janë paguar 1052 euro, por vetë Gjiknuri ka mohuar më herët të ketë përfituar pagesa hotelesh nga Zoto.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se shtetasi Arben Ahmetaj për vete ose të afërmit e tij ka përfituar në mënyrë të padrejtë një shume prej 34 422 euro, në formën e shpenzimeve për udhëtime. Kjo shumë, ekziston dyshimi se është përfitim i paligjshëm në formën e mitës, dhënë këtij shtetasi, si rezultat i ushtrimit te funksionit te tij si deputet apo minister që ka sjellë për pasojë lidhje kontratash përfituese për shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mertiri. Përsa më sipër, ekziston dyshimi se shtetasi Arben Ahmetaj ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv te funksionarëve të lartë shteterore ose i të zgjedhurve vendore’ parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal”, thuhet në dokumentin e SPAK.