Ndonëse Vladimir Putin kujdeset që Rusia të paraqitet para botës si një superfuqi, në “zemër” të shtetit të tij mbretërojnë paranojat. Forcat e armatosura të Federatës Ruse kryen stërvitje ushtarake që përfshinin përdorimin e armëve bërthamore taktike në fazat e hershme të një konflikti me një fuqi të madhe botërore, sipas dokumenteve të klasifikuara ushtarake ruse të parë nga “Financial Times”. Ekspertët që shqyrtuan dokumentet thanë se pragu që duhet të kapërcehet që Rusia të përdorë armët taktike bërthamore është më i ulët se sa Rusia e ka përshkruar ndonjëherë publikisht. Dokumentet e shqyrtuara nga “Financial Times” u hartuan mes 2008 dhe 2014 dhe përfshijnë përshkrime të stërvitjeve ushtarake dhe prezantime për oficerët e Marinës Ruse që diskutojnë parimet operacionale për përdorimin e armëve bërthamore.Rusia mund të përdorë armë bërthamore taktike për t’iu përgjigjur inkursioneve të armikut në territorin e saj, por gjithashtu, për shembull, për shkatërrimin e 20 për qind të nëndetëseve të saj që mund të lëshojnë raketa strategjike balistike.
Dosjet e bujshme
“Kjo është hera e parë që dokumente të tilla kanë arritur në publik,” tha Alexander Gabuev , drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë në Berlin. “Ato tregojnë se kufiri operacional për përdorimin e armëve bërthamore në situata ku nuk mund të arrihet rezultati i dëshiruar me armë konvencionale është mjaft i ulët”, shtoi Gabuev. Armët taktike bërthamore të Rusisë, të cilat mund të lëshohen nga toka, uji ose ajri, janë projektuar për përdorim të kufizuar në vijat e frontit të Evropës dhe Azisë. Nga ana tjetër, Rusia ka gjithashtu armë më të mëdha strategjike të dizajnuara për të sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kokat bërthamore moderne taktike mund të lëshojnë shumë më shumë energji sesa bombat bërthamore të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki në 1945. Edhe pse dokumentet e parë nga Financial Times janë 10 vjet ose më shumë, ekspertët thonë se ato janë ende relevante. Burimet perëndimore ia treguan ato “Financial Times”.
Dyshimi për Pekinin
Planet e mbrojtjes tregojnë se elitat ruse të sigurisë ishin dyshuese ndaj Kinës edhe pse presidenti rus Vladimir Putin lidhi një aleancë me Pekinin. Në vitin 2001, Rusia dhe Kina nënshkruan një marrëveshje ku thuhet se në rast konflikti, as njëra dhe as tjetra nuk do të inicojnë një luftë bërthamore, por do t’i përgjigjen provokimit bërthamor me armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë. Që atëherë, dy superfuqitë kanë forcuar partneritetin e tyre dhe marrëdhënia e tyre u përmirësua ndjeshëm kur Xi Jinping mori pushtetin në Kinë në 2012. Lufta në Ukrainë tregoi se Kina është më dominuese në këtë marrëdhënie. Përkatësisht, Pekini e ndihmoi Moskën t’i mbijetojë sanksioneve të vendosura ndaj saj nga Perëndimi për shkak të sulmit ndaj Ukrainës. Pavarësisht se marrëdhëniet Rusi-Kinë janë përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve, dokumentet e klasifikuara të parë nga Financial Times tregojnë se Qarku Ushtarak Lindor i Federatës Ruse po përgatiste përgjigje të shumta ndaj një pushtimi kinez. Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës tha se Moska nuk kishte arsye të dyshonte për Pekinin.
“Kthjellimi” i armikut
Megjithëse Pekini dhe Moska janë afruar më shumë dhe Rusia ka transferuar ushtarët e saj nga lindja e vendit në Ukrainë, Kremlini nuk ka ndalur së investuari në strukturat e mbrojtjes në lindje dhe juglindje. “Rusia vazhdon të forcojë dhe testojë raketat e saj me aftësi bërthamore pranë kufirit të saj me Kinën,” tha William Alberque, drejtor i strategjisë, teknologjisë dhe kontrollit të armëve në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike. Kur bëhet fjalë për SHBA-në apo Kinën, kufiri është sigurisht më i ulët. Udhëheqësit rusë besojnë se një sulm bërthamor do të “esëllonte” Kinën ose SHBA-në. Nga ana tjetër, një sulm bërthamor ndaj Ukrainës ndoshta do të çonte në një përshkallëzim të luftës dhe përfshirjen e SHBA-së ose Britanisë së Madhe. “Kjo është gjëja e fundit që Putini dëshiron,” pohoi Alberque.