MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Pse përkeqësohet kolla gjatë natës?

27.03.2024 - 10:20

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Pse përkeqësohet kolla gjatë natës?

Mjeku: Kolla është një nga simptomat mbizotëruese të gripit dhe të ftohurës. Shërimi i këtyre dy problemeve shëndetësore kërkon një regjim të shëndetshëm me lëngje dhe ushqime të pasura me vitamina, medikamente të caktuara dhe shumë pushim.

Në fakt, gjumi dhe pushimi i japin trupit kohën që i nevojitet për të luftuar infeksionet. Por, nëse kolla vazhdon ditë e natë, pushimi dhe gjumi duket i pamundur.

Gjatë natës, kolla ka tendencën të përkeqësohet dhe e bën të pamundur fjetjen dhe rikuperimin e energjive.

Arsyet përse kollitja bëhet më e ashpër gjatë natës janë të shumëta por lehtësisht të shpjegueshme. Një prej tyre është qëndrimi që ndikon në akumulimin dhe rrugëtimin drejt fytit të sekrecioneve të trasha.

Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë fjetjen me kokën ngritur, mundësisht me dy jastekë, kur jeni me kollë. Ky pozicion do të pengojë mbledhjen e sekrecioneve në fyt.

Sipas të dhënave, një arsye tjetër është ambienti i brendshëm tepër i thatë. Ajri i thatë mund të përkeqësojë situatën me fytin dhe hundën. Ajri duhet të jetë i lagësht që të merrni frymë lirisht.

Bëni një avull me ujë të ngrohtë përpara gjumit.

Mbushni një enë me ujë të nxehtë dhe hidhni gjethe menteje ose nenexhiku ose pika vaji esencial nëse keni. Me një peshqir mbi kokë nuhasni avullin që del prej enës.

Ose mbani në dhomë një enë me ujë të nxehtë dhe gjethe ekualipti ose me disa pika vaj esencial. Sidoqoftë, kolla është e rëndësishme për shërimin. Nëpërmjet saj, trupi arrin të nxjerrë toksinat dhe të pastrojë rrugët e frymëmarrjes.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.