Partia Socialiste do të mbledhë ditën e dielë Asamblenë ku socialistët do të mblidhen në një resort privat në Gjirin e Lalëzit.
Përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, pritet të jenë në fokus të diskutimit.
Në asamblenë e fundit që kryeministri Edi Rama mblodhi pak muaj më parë, Rama ka kërkuar nga të vetët futjen e sa më shumë emrave të rinj në parti, ndërsa rienergjizimi i PS ka qenë fokusi i takimeve të fundit që kryeministi ka zhvilluar me strukturat.
Në agjendë, mësohet se në këtë Asamble do të miratohet udhëzimi për zgjedhjet e përgjithshme në parti, si edhe udhëzimi mbi kriteret përzgjedhëse të kandidatëve për delegatë të Kongresit të Partisë, bashkëkryetarët e OS dhe KS të Njësisë Administrative.
Gjithashtu do të ketë raportime dhe diskutime nga anëtarët e Asamblesë për zbatimin e detyrave të ngarkuara.
Pas inspektimeve në Shkodër me kryebashkiakun Benet Beci, dje kryeministri Edi Rama është takuar edhe me strukturat e socialistëve.
Gjatë takimit, Rama është ndalur tek nevoja e anëtarësimeve të reja, thithja e të rinjve rreth kësaj force politike si e vetmja alternative që i ofron mundësi të rinjve dhe vendit.
“Duhet të jemi më gjithëpërfshirës në Shkodër, të hapim dyert për të gjithë edhe për demokratët që në Shkodër kemi Benetin kështu që demokratët e kanë derën e hapur” – tha Rama, duke vënë në dukje nevojën për t’u shkëputur nga ndasitë e së shkuarës.
“Po komunikojmë në vazhdën e energjizimit të PS për të mirëpritur anëtarë dhe anëtare të reja të PS-së. Dua të them që pas 24 orësh në Shkodër më vjen shumë mirë që rrugëtimi është pozitiv dhe ndjesia e vlerës së votës është e prekshme. Besoj që është e prekshme jo vetëm për mua, por edhe për banorët e shkodrës. E ndjej në kontrastin e jashtëzakonshëm mes vizitave të dikurshme dhe ato pas zgjedhjeve. Dëshira e njerëzve për t’u afruar dhe shprehur janë gjithnjë e më të forta. Kjo është si reflektim i punës që po bën Beneti me skuadrën të cilën ne dhe unë personalisht e mbështesim pa kushte sepse Shkodra ka një potencial kombëtar”- tha Rama.