Kryeministri i vendit, Edi Rama tha se Shqipëria ka nevojë për progres të mëtejshëm dhe sipas tij garancia kryesore për ta rritur një objektiv të tillë është vetëm Partia Socialiste.
Teksa ndau kartat e anëtarësimeve të reja në strukturat e partisë, shefi i qeverisë kërkoi më shumë punë dhe progres, që fitoret e arritura t’i shërbejnë më mirë Vlorës dhe Shqipërisë.
“Duhet një PS e fortë dhe e vetëdijshme. Ne mund të marrim shembuj sa të duam për progresin e bërë, por edhe për rrezikun që progresi të mos vazhdojë ashtu siç duhet dhe Vlora është një nga pikat ku shembujt e progresit të bërë janë të shumtë, por është dhe një nga pikat ku mund të shihet se sa shumë ka për të humbur nëse PS nuk është në lartësinë e duhur dhe nuk është në gjendje që të sillet si një forcë që ka në shpatull Shqipërinë. Ambicia jonë është që potencialin që kemi, ta shfrytëzojmë maksimalisht. Në Vlorë, trëndafili fiton vetë, çështja është çfarë bëjmë me fitoren”, tha Rama.