Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka dërguar disa mesazhe të forta drejt Kosovës dhe Serbisë.
Ai i fton dy shtetet drejt dialogut me SHBA dhe BE, në mënyrë që të mos i kthehen luftës në vitet ’90.
“Ne po bashkëpunojmë në prioritete të tjera kyçe, dukshëm edhe në Ballkanin Perëndimor. Duhet që të përgëzoj vërtetë lidershipin e Austrisë dhe angazhimin personal të ministrit të jashtëm. Kjo është diçka që ne kemi të shtrenjtë në zemrat tona, veçanërisht presidenti Biden, sepse për presidentin, por edhe për mua, pasi kur nisa punën në vitin 1999, shumica e fokusit në botë ishte mbi Ballkanin Perëndimor, në Bosnje dhe në Kosovë.
Ajo që nuk kemi nevojë, që Europa nuk ka nevojë, veçanërisht që njerëzit nga Ballkani nuk ka nevojë, është që të kthehemi pas në kohë në vitet ’99… ne po punojmë së bashku për të përmirësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.”, tha Blinken.
Blinden ka folur edhe për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se dialogu është i vetmi mekanizëm i zbatueshëm dhe ka thënë se SHBA dëshiron të shoh përpjekje në mirëbesim dhe qasje konstruktive nga të dy palët, Kosova dhe Serbia, në normalizim të raporteve.
Blinken ka thënë se palët duhet të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe t’i zbatojnë marrëveshjet.
“Atje, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mekanizimi i vetëm zbatueshëm, e vetmja rrugë e zbatueshme përpara, duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe konstruktive nga të dy palët, Kosova dhe Serbia, për t’i stabilizuar marrëdhëniet dhe të shkohet drejt asaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë, t’i zbatojnë të gjitha përkushtimet që janë në dialog.”, ka deklaruar Antony Blinken.
Ndërkohë ju rikujtojmë se i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitoi Kosovën të mërkurën.
Pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Ai i hodhi poshtë pretendimet e presidentes Osmani se BE-ja po tregon mungesë të qasjes së barabartë në ndërmjetësimin e dialogut.
Për vizitën e Escobar reagoi edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti zbardhi diskutimet me Escobar, ku tha se qendër të bisedimeve ka qenë çështja e heqjes së dinarit serb nga qarkullimi në Kosovë.
Kreu i qeverisë së Kosovës, tregon se ka informuar Escobarin për hapat që ka ndërmarrë Qeveria për të mbështetur tranzicionin Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.
Ndër të tjera, Kurti ka theksuar nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë në shtator të vitit të kaluar.
“Është kënaqësi për t’u takuar me të dërguarin e Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. E falënderoj për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe theksoj nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë. Gjithashtu e informova atë për hapat që ka ndërmarrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin Bankës Qendrore të Kosovës, dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim.”, shkroi Kurti në “X”.