MENU
klinika

Nga Ben Andoni

SPAK, ujdia PS & Rithemelim dhe hija e vulës?!

09.03.2024 - 21:05

Negociatat e Partisë Socialiste me Demokratët e Rithemelimit, që u mbajtën fillimisht të fshehta, tregojnë pak a shumë atë nivel demokracie, që është në vendin tonë. Ku ujditë e fshehta quhen marrëveshje dhe ku pakti i vitit 2008 mes Ramës dhe Berishës vërteton se është akti politik më i qenësishëm në gati dy dekadat e fundit.
Dhe, këto marrëdhënie, që rrjedhin nga “pakti ‘08” ndikojnë në të gjitha ujditë me radhë. Në fakt, nuk duhet të jenë pak. Është kryesorja: Reforma Zgjedhore, të paktën për sytë e ndërkombëtarëve dhe për “respektin” e sugjerimeve të OSBE-ODHIR; me gjasë është amnistia, ku sërish do mund të përfitojnë politikanët; po ashtu mund të jetë amnistia Fiskale, ku përfitues janë grupet e interesit, që lidhen me politikën dhe kështu me radhë. E shikon këtë pakt sesa banal është kur kupton se zhurma që u bë për Komisionet Hetimore mori jetë me vetëm pak fjalë, ndërkohë që ishte detyrim për maxhorancën e parlamentit të mos e pengonte.
Po ndërsa për Reformën Zgjedhore do gjendet mënyra, pasi kështu u veprua pak vite më parë, kur të huajt bënë bashkë katër palë dhe jo tre, si tani; “vështirësitë” duken në axhustimet që do bëhen për amnistitë, ku me sa duket pasi do harmonizohen interesat palët do e bëjnë kuorumin e nevojshëm. I vetmi problem për palët mbetet SPAK dhe këtu duket se kanë shtrirë lidhjet e vjetra. Paradoksalisht, këtu kemi vërtetë qasjen e parë, pasi Berisha dhe skifterët e tij e etiketojnë me përcaktimet më fyese, kurse PS-ja, që po ia marrin një e nga një njerëzit, më institucionalisht lajmëroi idenë për rolin kontrollues të Kuvendit me anëtarë nga të gjithë partitë për institucionet e varur prej tij, SPAK, GJKKO, ILDKP!! A mund të ketë moment më të mirë sesa ky stad, kur Rithemelimi bashkoi zyrtarisht masën më të madhe dhe me gjasë do të lerë flakadanët dhe të marrë kartonat.
Nëse morali politik në Shqipëri nuk ka më asnjë vlerë, po të kesh parasysh deklaratat e politikanëve të ndryshëm për njëri-tjetrin dhe të atyre të PD-së Rithemelimit për kreun Berisha, Shqipëria është e lodhur me pazaret e hidhura të dy partive, që e kanë sfilitur trupin e drobitur të vendit.
Dhe, në fund, por jo më e parëndësishme, duket se për pak javë zgjidhet edhe problemi i vulës për PD-në. PD-ja Legale e kishte paralajmëruar se do të kishte gati brenda marsit listën e njerëzve të saj përfaqësues, por duket se tashmë do gjendet para realiteteve të reja, që kanë lidhje me mbijetesën e saj tejet të vështirë, në një treg partish, ku luhet pa rregulla, por vetëm me vullnetet e Rama-Berishës.