Ndërsa rritemi e kuptojmë se paratë janë të rëndësishme dhe ndërgjegjësohemi më shumë mbi financat tona dhe zgjedhjet që ne bëjmë, për kursimin dhe shpenzimin e tyre. TikTok, përmes një sfide që po bën nami në rrjetet sociale na ndihmojmë të kursejmë më shumë dhe të shohim me vëmendje se si dhe pse paguajmë kaq shumë para çdo muaj.
Përmes sfidës “no spend challenge”, e cila është një strategji individuale për shpenzimet, mund ta kemi më të qartë tablonë e shpenzimeve dhe kursimeve. Qëllimi përfundimtar i kësaj sfide është të kursejmë para dhe të jemi më të kujdesshëm ndaj zakoneve tona, duke gjetur ose krijuar mënyra më interesante dhe me më pak buxhet, për t’i bërë qejfin vetes.
Si mund ta bëni këtë sfidë, hap pas hapi?
Për të pasur sukses në këtë sfidë, konsideroni këto këshilla:
Vendosni qëllime të qarta: Përcaktoni arsyet pse po merrni pjesë në këtë sfidë: Po e bëni për të kursyer lekë; për të paguar një borxh/kredi; për të ndryshuar mënyrën e shpenzimit?
Krijoni një buxhet: Ky është një hap shumë i rëndësishëm. Vendosni një buxhet të qartë dhe realist për shpenzimet e muajit, duke nisur që nga ushqimet, faturat e deri te nevojat e tjera. Mundohuni t’i qëndroni sa më striktë buxhetit.
Ndani nevojat nga dëshirat: Nëse vjen puna për një shampo, është një nevojë; Nëse bëhet fjalë për një çantë të re, është një dëshirë. Vendosni prioritetet dhe bëni kujdes me identifikimin e nevojave dhe dëshirave.
Planifikoni: Hartoni një plan për shpenzimet që do të bëni. Nëse do të dilni për një gotë, bëni një llogari sa mund të shpenzoni. Gjithashtu, përfshihuni në aktivitete që nuk shpenzojnë para, si për shembull leximi i një libri, apo një film në laptop/pc.
Shmangni tundimin: Sigurisht, tundimi është i fuqishëm, sidomos kur je duke kursyer, ndaj qëndroni larg ekspozimit të uljeve, ofertave dhe kërkimit të gjërave që nuk ju duhen.
Tregojuani qëllimin tuaj të tjerëve: Kështu, familjarët dhe miqtë do ta dinë se ju jeni duke kursyer dhe nuk do ju bëjnë “presionin” tipik për të shkuar në udhëtime apo aventura të ngjashme.
Ndiqni online njerëz që kanë të njëjtin qëllim: Në TikTok dhe Instagram do të gjeni shumë njerëz që i janë bashkuar sfidës, ndaj ndiqini për këshilla të vlefshme.
Monitoroni procesin: Ky është po ashtu një hap i rëndësishëm, pasi ju tregon zhvillimin e sfidës.
Reflektoni dhe mësoni: Kjo do t’ju ndihmojë me përvojën mbi kursimin dhe zakonet tuaja të blerjeve.