MENU
klinika

'Sundimi i ligjit'

Fier, zbulohen dy lokale bastesh, procedohen 5 persona!

22.03.2024 - 13:46

Vijon megaoperacioni ‘Sundimi i ligjit’ në mbarë vendin. Në lagjet ‘Apollonia’ dhe ‘Liri’ në Fier janë konstatuar dy lokale ku organizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin.

Është proceduar në gjendje të lirë pronari i lokalit në lagjen ‘Liri’, shtetasi F.K., 64 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i lokalit në lagjen ‘Apollonia’, shtetasi S.M.,33 vjeç.

Sakaq, janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë: Xh.K., 29 vjeç, F.A., 19 vjeç dhe M.Ç., 25 vjeç. Këta të tre u kapën teksa vinin baste sportive në këto lokale. Policia ka sekuestruar në këto dy lokale 3 makineta dhe 3 celularë.

‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në 2 lokale, në lagjen “Apollonia” dhe lagjen “Liri”, Fier viheshin baste sportive.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste, u procedua në gjendje të lirë pronari i lokalit në lagjen “Liri”, shtetasi F. K., 64 vjeç, u shpall në kërkim pronari i lokalit tjetër, shtetasi S. M., 33 vjeç. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë, pasi u kapën teksa vinin baste sportive në këto lokale, shtetasit Xh. K., 29 vjeç, F. A., 19 vjeç, M. Ç., 25 vjeç.

Punohet për kapjen e 33-vjeçarit.’, thuhet në njoftimin e policisë.

Po në Fier u kap në flagrancë një 17-vjeçar, pasi po lëvizte në qytet me armë zjarri të cilën e mbante në automjetin që drejtonte pa leje drejtimi. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua arma e zjarrit me 13 fishekë brenda. Veprimet proceduriale me të miturin po kryhen në prani të psikologut, mbrojtësit ligjor dhe prindit.