Ekspertja e IT, Esmeralda Kazia, është shprehur se duhet të merren masa për të siguruar të privatësinë e përdoruesve të platformave në rrjetet sociale, kryesisht për Tik Tok.
Komentet Kazia i bëri në një emision televizv, ku tha se duhet të shihet nëse platforma është pre e sulmeve kibernetike dhe ka përmbajtje të rrezikshme dhe sipas saj, nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë Tik Tok duhet të mbyllet.
Ajo tha gjithashtu se mbyllja e platformave të rrjeteve sociale është një vendim që duhet marrë me shumë kujdes, pasi sipas saj, mund të shkelë lirinë e shprehjes së individit.
“Vendosja e ndalimeve mbi platformat e rrjeteve sociale, është një vendim që duhet të shihet me kujdes para se të merret. Në radhë të parë duhet të konsiderohet siguria dhe privatësia e të dhënave. Platformat e rrjeteve sociale në disa raste si Tik Tok është kritikuar për privatësinë e të dhënave.
Është e rëndësishme që të sigurohet që të dhënat e përdoruesve të mbrohen nga keqpërdorimet potenciale. Tik Tok ka një ndikim shumë të madh, sidomos te të rinjtë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm si kjo platformë ndikon në sjelljet dhe ndërveprimet e e secilit përdorues.
Nëse platforma është pre e sulmeve kibernetike, apo përmban përmbajtje të rrezikshme, ashtu edhe siç e referuat, atëherë mund të ketë arsye për ta ndaluar, apo për të patur rregullime të mëtejshme, për të rritur sigurinë e përdoruesve.
Mbikqyrja e sigurisë së të dhënave është mënyra më e përshtatshme me qëllimet dhe vlerat e shoqërisë sonë. Por censura e platformave të mediave sociale, padyshim që mund të shkelë lirinë e shprehjes së individit”, tha Kazia.