MENU
klinika

“Energjia për furrat e bukës, me tre fasha”

Admistratori i OSHEE: Rritet çmimi për subjektet me pastiçeri dhe bar-kafe

05.04.2024 - 20:47

Administratori i OSHEE, Enea Karakaçi ka deklaruar në “Sheshi i Dollarit” se energjia për furrat e bukës do të jetë me tre fasha. Ai tha se çmimi për subjektet me pastiçeri dhe bar-kafe do të rritet, ndërsa për furrat e thjeshta të bukës do të mbetet po njësoj siç ka qene gjithmonë që para 10 vitesh.

Sipas administratorit, Shoqata e Furrave të Bukës janë mbledhur dhe kanë rënë të gjithë dakord, sepse në këtë rast ka ndikuar dhe rritja e konkurencës.

“Çmimi i furrave të bukës në fakt nuk ka ndryshuar. Furrat e bukës kanë pasur një çmim të reduktuar, në qoftë se abonent privat e ka çmimin 14 lekë, furrat e bukës që para 10 vitesh kanë pasur një çmim 7.6 lekë dhe ky ka qene dhe qëllimi i qeverisë si të thuash të subvencionohej prodhimi i bukës, në mënyrë që qytetarët të kishin mundësi të merrnin shërbimin me çmim të ulët. Megjithatë, situata sot nuk është më e njëjtë si para 10 vitesh, pasi furrat e bukës sot kanë dhe shërbime pastiçerie deri në bar kafe, ato që janë pak më të sofistikuara dhe kjo çonte në një cënim të konkurencës.

Në mënyrë që kjo situatë të zgjidhej herë pas here janë pas marrë disa masa, të cilat kanë krijuar një lloj shqetësimi te furrat e tjera të bukës. Edhe normalisht gjatë viteve ka pasur dhe abuzime. Ne jemi ulur me shoqatat e furrave të bukës dhe kemi gjetur një dakordësi të plotë, ku kemi vendosur të ketë tre fasha çmimesh, sipas aktivitetit që kanë këto furra buke. Ne kemi vendosur që furrat që janë vetëm furra buke do të mbajnë të njëjtin çmim që kanë pasur 7.6 lekë, ato që kanë dhe pastiçeri 9.5 lekë, ndërsa ato që kanë dhe bar kafe dhe pastiçeri i vendoset çmimi 12 lekë. Shoqatat janë dakord me këtë.

Ne mendojmë që pjesa më e vështirë dhe që do na nxjerri faqebardhë është implementimi i këtij procesi dhe jo thjesht vendosja e fashave. Ne kemi vazhduar dhe jemi ulur me shoqatat se si do të bëhet implementimi. Ne kemi evidentuar se cilët janë ato furra buke që janë jashtë Tirane dhe janë vetëm furra buke dhe jo pastiçeri dhe do të kenë të njëjtin çmim. Verifikimi do të bëhet në terren, nuk do i bëhemi barrë, thjesht do të shohim subjektin”, u shpreh ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nuk ka rishikim të çmimit të energjisë

ERE refuzon prodhuesit e bukës dhe prodhimit të miellit