MENU
klinika

Provojeni edhe ju!

Çfarë është “rregulli i 5 orëve” që përdorin njerëzit e suksesshëm

13.04.2024 - 10:02

Në ditët e sotme ka shumë këshilla, truke apo mësime të gatshme që merren nga miliarderët dhe njerëzit e suksesshëm nga çdo cep i botës. Por, ka një këshillë që shihet si më praktike dhe më produktive te njerëzit që e aplikojnë. Ndryshe quhet “rregulli i pesë orëve” dhe fillimisht ka qenë sipërmarrësi Michael Simmons që e ka shpikur.

Ideja është që një person duhet të kalojë pesë orë në javë (afërsisht një orë në ditë) duke mësuar apo praktikuar diçka të re. Në dukje ngjan si diçka mjaft e thjeshtë, por në ditët e sotme me ritmin frenetik mes punës, angazhimeve, udhëtimeve apo familjes duket si e vështirë gjetja e këtyre pesë orëve që mund të të ndryshojnë jetën. Sidoqoftë, me pak prakticitet mund ta zbatoni rregullin e pesë orëve në jetën tuaj. Ka një mori shembujsh se si ta zbatoni, ndërsa në radhët e sipërmarrësve modernë dhe njerëzve të suksesshëm ky rregull lidhet me tre opsione: lexim, reflektim dhe eksperimentime. Leximi i një gazete, reviste apo diçka në pajisjet elektronike është “ushqim për trurin” dhe ky është një ritual që duhet ta ktheni në një zakon të përditshmërisë nëse doni të shihni rezultate.

Reflektimi për vendime të caktuara, momente të vështira në jetën tuaj apo të njerëzve që ju rrethojnë janë një tjetër model “investimi” në gjërat që mund të ndryshoni duke u kushtuar vëmendje. Ndërsa, eksperimenti ka të bëjë më të provuarit e diçkaje të re: një aktivitet ndryshe, një punë vullnetare, ndryshimi i orarit për një detyrë apo punë etj.

Pengesat që dalin në ndjekjen e këtij rregulli

Le të jemi të sinqertë që në fillim! Nuk është gjithmonë një rregull lehtësisht i zbatueshëm, sidomos kur bëhet fjalë për njerëzit që kanë një seri angazhimesh të përditshme, nga gatimi, pastrimi, pazaret, shtëpia apo fëmijët. Por, suksesi është te vendosja e prioriteve dhe pse jo ju mund ta praktikoni këtë rregull duke moderuar të gjithë detyrimet e tjera.