MENU
klinika

Ja si funksionon

Çfarë është teknika suedeze e “pastrimit para vdekjes”

27.04.2024 - 10:38

Jemi zyrtarisht në sezonin e pranverës, që për shumë amvisa apo zonja shtëpie do të thotë një “pastrim me themel” dhe sistem i çdo këndi në shtëpi. Kur flasim për organizimin e hapësirave tona të brendshme, ka plot metoda për t’u frymëzuar nga ajo japoneze KonMari te praktika e lashtë kineze feng shui.

Por, vitet e fundit, një qasje e re skandinave duket se po qarkullon dhe e gjitha lidhet me rregullimin dhe sistemimin para vdekjes.

Çfarë është kjo teknikë pastrimi dhe sistemimi?

Sigurisht kur themi “pastrimi para vdekjes” nuk tingëllon edhe aq emocionuese për t’u praktikuar si teknikë. Por, në Suedi prej kohësh kjo metodë është materializuar te njerëzit që duan më shumë rregull dhe sistem në shtëpi. Katarina Blom është psikologe lumturie dhe autore e programit “The Gentle Art of Swedish Death Cleaning” në NBC dhe ndoshta mund të cilësohet si një nga nismëtaret e kësaj metode.

Ajo beson se përgatitja për vdekjen, pra duke hequr nga përdorimi sende të panevojshme apo që nuk u dihet qëllimi është një mënyrë për të marrë frymë lirisht dhe për të jetuar hapësirën e brendshme në çdo dimension.

“Pastrimi suedez para vdekjes është një metodë që e ka fokusin në minimizimin e objekteve, sendeve apo veshjeve që nuk përdoren apo vlejnë më, duke u lehtësuar kësisoj barrën e sikletit njerëzve të afërt apo familjarëve pas vdekjes,” thotë psikologia Regina Lark. “Kjo ka të bëjë me faktin e përzgjedhjes së gjërave që duhen mbajtur, ato që duhen hedhur apo dhuruar me qëllimin për t’u  thjeshtuar zgjedhjet dhe jetën fëmijëve apo personave që lini pas vdekjes,” vijon ajo.

Kjo qasje e vë theksin te minimalizmi dhe shmangia e rrëmujës për të parandaluar që të tjerët ta bëjnë këtë për ju, duke u hequr kështu “peshën” e përgjegjësive apo kujtimeve personave të tjerë të familjes, si bashkëshortit/es, fëmijëve, të afërmve, kushërinjve etj.

Kjo teknike suedeze pastrimi dhe organizimi mund të jetë veçanërisht e dobishme për moshën e tretë, por përtej kësaj çdo person mund ta materializojë si praktikë duke e bërë pjesë të jetës nëse do sa më pak rrëmujë dhe “zhurmë vizuale” në shtëpinë e tij/saj.

Megjithëse pastrimi suedez i vdekjes mund të jetë veçanërisht i dobishëm për të rriturit e moshuar, Lark theksoi se çdokush mund ta ndërmarrë këtë proces në çdo fazë të jetës.