I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka pasur një javë intensive takimesh në Bruksel për të diskutuar mbi mundësitë e zgjidhjes të çështjes së dinarit.
“U ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një rrugë në lidhje me ‘çështjen e dinarit’”, shkroi ai.
Ai shtoi se diskutimet kanë qenë produktive dhe se beson se palët kanë arritur të kalojnë një pengesë të madhe. Megjithatë, Lajçak theksoi se ka ende dallime të mbetura dhe për këtë arsye është e domosdoshme të vazhdohet dialogu.
“Disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit,” ka shkruar ai në Facebook.
Lajçak ka shprehur optimizëm për takimin e ardhshëm, duke pritur që të dyja palët të sjellin ide konkrete si bazë për diskutime të mëtejshme.