Për një superfuqi si Kina nuk ka provë më të rëndësishme për të sfiduar aftësitë diplomatike të Shteteve të Bashkuara sesa Lindja e Mesme.
I vetëdijshëm për atë që është në rrezik, Pekini po përpiqet të shfrytëzojë paqëndrueshmërinë pas sulmit islamik më 7 tetor në avantazhin e tij për të treguar ndikimin e fituar nga vendi i dragoit në arenën ndërkombëtare.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia “Reuters”, e cila raporton në këto orë se Hamasi dhe Fatah kanë rënë dakord të marrin pjesë në bisedime të paprecedentë në Kinë që synojnë rivendosjen e unitetit politik në territoret e Palestinës.
Nisma e organizuar nga Kina nuk është e izoluar.
Në muajt e fundit, në fakt, gjigandi aziatik është shprehur disa herë në favor të një konference paqeje izraelito-palestineze dhe ka deklaruar se mbështet hyrjen e Palestinës në Kombet e Bashkuara për t’i dhënë fund një “padrejtësie historike”.
Për më tepër, një i dërguar kinez u takua me udhëheqësin e Hamasit Ismail Haniyeh në Katar muajin e kaluar.
Në realitet, ofensiva diplomatike e Pekinit në Lindjen e Mesme filloi në vitin 2018 kur Xi Jinping përshkroi vizionin e tij për stabilitetin e rajonit në krahasim me atë të garantuar në dekadat e fundit nga Shtetet e Bashkuara.
Një interes jetik nëse kemi parasysh se 53% e naftës së importuar nga Dragoi vjen nga kjo zonë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht kritikave të amerikanëve, Kina nuk është e gatshme të dëbojë rivalët e saj nga rajoni pasi nuk mund të përballojë të shtrijë ndikimin jashtë Paqësorit.
Në çdo rast, ambiciet e Lindjes së Mesme të Xi Jinping synojnë edhe paqëndrueshmërinë e shkaktuar nga marrëdhëniet midis fuqisë shiite të Iranit, fqinjëve të tij sunitë dhe Izraelit.