I gjithë rrethi i Krujës nga Thumana e deri në afërsi të Vorës është zgjuar nën petkun e një mjegulle të dendur, e cila krijon mjaft vështirësi në lëvizjen e automjeteve. Dendësia e mjegullës është mjaft e madhe dhe shikueshmëria nuk është më shumë se pak metra.
Të gjithë personat që udhëtojnë nga veriu për në Rinas, Tiranë apo anasjelltas duhet të tregojnë kujdes. Mjegulla e dendur ka sjellë edhe probleme në uljen e avionëve dhe nisjen e disa fluturimeve, ku një pasagjer denoncoi në Shqiptarja.com se flututurimi i tij është shtyrë me rreth 2 orë.
Siç shihet përmes këtyre fotove të shkëputura nga Flight Radar, 3 avionë nuk kanë mundur të ulen në pistë. Ndërkohë, për shkak të mjegullës së dendur janë shtyrë të paktën 7 fluturime. Konkretisht bëhet fjalë për linja si Tiranë-Dortmund që duhej të ishte nisur në 06:15, linja Tiranë-Trevis nisja e parashikuar në 07:50, Tiranë-Pisa në 07:10, Tiranë-Stamboll me nisje në 08:30.
Në aeroportin e Rinasit, tashmë gjithçka i është kthyer normalitetit. Sipas rregullores, avionët nuk nisen kur ka mjegull për çështje sigurie.