MENU
klinika

Hakmarrja e Vuçiç pas votës në KiE

Kurti shpërthen në akuza : Kryemafiozi u bë trim pa sanksione!

18.04.2024 - 14:59

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka këshilluar edhe një herë qytetarët e tij që të bëjnë shumë kujdes gjatë kalimeve në Serbi dhe të mos bien pre e provokimeve.

Në një konferencë për shtyp, bashkë ministrin e brendshëm, Xhelal Sveçla, pas mbledhjes së qeverisë, Kurti akuzoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, se urdhëroi marrjen peng të rreth 1500 shtetasve të Kosovës, si hakmarrje për avancimin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Arrestimet që i bën Serbia, qoftë qytetarët e zakonshëm që e përdorin si vend transit për në vendet e BE-së, qofshin zyrtarë shtetërorë, këto nuk do të vinin nëse do të kishte sanksione. Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë dhe uroj që ky trimërim i agresivitetit që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqet një etapë të re në të cilin do të kuptohet që Kosova është shtet demokratik, respekton të drejtat e qytetarëve, ndërsa Serbia është praktikisht shtet mafioz”, tha Kurti.

Ministri Sveçla akuzoi Serbinë se ka keqtrajtuar rreth 1500 shtetas të Kosovës, përfshirë zëvendësdrejtorin e policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, të cilin pas ndalimit e ka dërguar në Rashkë. Aty po mbahet në paraburgim për 48 orë dhe akuzohet për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

“Dhjetë pjesëtarë policorë janë ndalur, pesë prej tyre janë liruar mbrëmë, kurse, katër prej tyre sot dhe vazhdon që zëvendësdrejtori i policisë të jetë i arrestuar. Zëvendësdrejtori Jankoviq është dërguar dje në Rashkë, metodë kjo e përsëritshme ndaj pjesëtarëve të Policisë për t’i marrë në pyetje nga Agjencia e tyre për Inteligjencë”, tha Sveçla.

Gjatë konferencës për shtyp, Sveçla bëri të ditur se policia serbe ka keqtrajtuar dhe marrë në pyetje qytetarët e ndaluar lidhur me të kaluarën e tyre, përfshirjen në UÇK apo vendndodhjen dhe veprimtarinë e tyre në vitet ’98-’99.

Si kryeministri Kurti, ashtu edhe ministri i brendshëm, bën thirrje për masa ndërkombëtare ndaj Serbisë për shkeljen e marrëveshjeve të shumta, përfshirë atë të lëvizjes së lirë. Gjatë së mërkurës, me dhjetëra autobusë dhe automjete me targa të Kosovës u ndaluan në pika të ndryshme kufitare të Serbisë për orë të tëra, me arsyetimin e kontrolleve të sigurisë ndaj rreth 1500 shtetasve të Kosovës. Atyre iu morën dokumentet e identifikimit dhe në shumë rast janë provokuar apo gjobitur pa të drejtë.