MENU
klinika

Arsyeja

Makinat elektrike, në qendër të luftës së re tregtare SHBA – Kinë!

10.04.2024 - 10:36

Prodhimi në rritje i Kinës së makinave elektrike dhe teknologjive të tjera të gjelbra është kthyer në një betejë të re në luftën tregtare SHBA-Kinë. Këtë e nënvizojë Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen gjatë vizitës së saj pesë-ditore në Kinë, ndërsa kandidati kryesor republikan për President, Donald Trump e shfrytëzoi këtë çështje për të bërë fushatë.

Kina ka rritur ndjeshëm prodhimin e automjeteve të lira elektrike, baterive diellore dhe baterive të tjera në të njejtën kohë kur administrata e Presidentit Biden ka shtyrë para miratimin e legjislacionit që mbështet shumë prej industrive të njëjta në Shtetet e Bashkuara. Shqetësimet po rriten jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Evropë dhe Meksikë se Kina do të bëjë përpjekje të forcojë ekonominë e saj në vështirësi me një valë eksportesh që mund të dëmtojnë fabrikat në vendet e tjera.

Grupi tregtar, Aleanca për Prodhimin Amerikan, vuri në dukje në një raport të publikuar në muajin shkurt se prodhuesi kryesor kinez i automobilave BYD kishte prezantuar së fundmi një makinë elektrike SUV me çmimin çuditërisht të ulët prej 14,000 dollarësh.

Industria e automobilave në Kinë paraqet një kërcënim ekzistencial për prodhuesit amerikanë të makinave.

Ish-presidenti Trump, në një tubim në fund të muajit të kaluar në Ohajo, akuzoi Kinën se po bën përpjekje të eksportojë makina në Shtetet e Bashkuara përmes Meksikës. Shtetet e Bashkuara aktualisht zbatojnë tarifën 25% ndaj makinave nga Kina. Kjo tarifë ka arritur që kryesisht të bllokojë automjetet nga ai vend, por Meksika ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Ai premtoi se do të bllokonte importe të tilla me tarifa të reja, por sugjeroi se rizgjedhja e presidentit Biden do të nënkuptonte shkatërrim të industrisë së automjeteve.