MENU
klinika

Artur Ajazi

Me vulë, pa vulë, ose “më do, s’më do”

08.04.2024 - 12:12

Lufta dhe betejat e Rithemelimit dhe grupimit “zyrtar” të Partisë Demokratike, do të mbahen mënd gjatë në memorjen e popullit. Do të kujtohen si gallata më e madhe e tranzicionit të gjatë postkomunist, ku dy grupime krejt të ngjashme, të dala nga një “derexhe”, zihen për …hiçgjë. Në fakt, gjithë “loja” dhe ajo ku duan të arrijnë ata, si Berisha dhe Basha, është fakti se “i do apo nuk i do, anëtarësia”. Dhe kjo sipas tyre, varet nga “vula”. Pra me vulë pa vulë, rëndësi ka mbështetja e bazës. Në fillim është dukur sikur mbështetja ishte me Berishën, kurse për Bashën kishte vetëm disa “thërrime”, dhe salla gjysëmboshe. Por situata ka ndryshuar.

Njerëzit edhe tek PD-ja janë sqaruar, i janë “çelur sytë”, dhe “nuk po ikin kuturru pas berihait” thotë populli. Edhe në PD, njerëzit, anetarësia dhe militantët po e shohin se si krerët dhe klanet e dy grupimeve, hipur majë makinave 100 mijë euroshe, dhe jetesës në vila dhe pallate luksi, shkojnë i takojnë, u bëjnë thirrje “ejani të mbushim bulevardin, të rrëzojmë qeverinë Rama”, dhe pastaj gjithçka shkon atje ku ishte. Nuk mund të bëjnë më për budallenj as anëtarët dhe as militantët, ata që sa kishin pushtetin mbushën thasët, u bënë me vila dhe prona, vunë miliona euro pasuri, dhe tani sërish kërkojnë që me fushata sporadike abuzive duan të rikthehen në pushtet.

Në demokraci, pushteti fitohet dhe votë, dhe është mirë të ketë rrotacione, si kudo në botën e përparuar demokratike. Por ajo që ndodh në Shqipëri, ku një parti e merr me “tapi” të drejtën e qeverisjes, dhe tjetra hyn në pazare me tjetrën, nuk ndodh askund. Ka ikur koha kur Berisha bënte presione dhe pazare për votën, pushtetin, fushatën, listat e deputetëve, etj…Lufta e tij me Bashën, mbetet beteja më absurde dhe më e turpshme që kanë parë në 33 vite demokratët e asaj partie.

Të luftosh për një copë vulë, të bësh copa-copa partinë sepse të intereson të mbrosh vehten, familjen, pasuritë, dhe klanin mbështetës, është paturpësi. Dhe kjo ngjet nga dy grupimet e asaj partie, pasi të dyja janë pjesë e të njëjtës “çorbë të prishur”. Pa vulën, Berisha mendon se edhe mund të marrë ca vota. Por me vulën në xhep, ai beson se “do të marrë pushtetin”. Kurse Basha, e ka “fjetur mëndjen” disi. Ai nuk e ka edhe aq problem vulën e partisë, pasi mendon se fakti që Berisha është “non-grata” nga SHBA, mund ta detyrojë gjykatën, t’ja japë atij vendimin për të qenë ai kryetari legjitim i asaj partie. Por ngërçi qëndron akoma tek baza e partisë.

Asnjë nga palët, as Berisha dhe Basha, nuk e kanë të sigurtë mbështetjen dhe votën e tyre në zgjedhje. Ajo që ndodhi me zgjedhjet e 14 Majit, tregoi se baza e PD-së, nuk është më aq “budalle” sa ti shkojë e rreshtuar si dikur as Berishës dhe as Bashës. Dhe derisa të sqarohen gjërat, derisa vula të gjejë “të zotin”, dhe derisa anetarësia të kthjellohet për ç’ka po ndodh në parti, humbja elektorale sigurisht do të jetë pjesë e postbetejave mes dy grupimeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN