MENU
klinika

Ja nga kush po pret “dritën jeshile”

Pahor përgatit draftin për dialogun Kosovë-Serbi

29.04.2024 - 11:08

Ish-presidenti slloven Borut Pahor, i cili mund të pasojë Miroslav Lajçak, si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, po përgatit “shtyllën kurrizore” të draftit për vazhdimin e bisedimeve mes dy palëve.

Siç thuhet në profilin e Pahorit në rrjetin social “X”, ai dëshiron ta harmonizojë atë draft fillimisht me Josep Borrell dhe vendet anëtare të BE-së, veçanërisht me vendet e QUINT.

Për këtë arsye Pahor nuk do t’u përgjigjet pyetjeve gazetareske dhe kërkesave për intervista, që ai merr në pritje të rolit të kandidatit për përfaqësues special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale.

“Ish-presidenti Pahor po përgatit një draft dhe një kornizë për vazhdimin e dialogut, por ai dëshiron që fillimisht ta harmonizojë atë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell dhe vendet anëtare të BE-së, veçanërisht me vendet e QUINT”, thuhet në profilin e ish-presidentit të Sllovenisë.

Në përfundim të konferencës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të cilën e organizoi më 18 e 19 prill në Lubjanë, ku ishte i pranishëm edhe Miroslav Lajçak, Pahor përsëriti se dëshiron të kandidojë për postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Borut Pahor, është një politikan slloven që mbajti rolin e Presidentit të Sllovenisë nga viti 2012 deri në vitin 2022, pasi shërbeu si Kryeministër nga 2008 deri në 2012.

Me një mandat të konsiderueshëm brenda socialdemokratëve, Pahor ka qenë një anëtar aktiv dhe madje ka mbajtur postin e kryetarit të partisë. Karriera politike e Pahor vazhdoi në PE, ku ai u bë anëtar në vitin 2004.