MENU
klinika

Adrian Civici: Si na mbron nga rreziqet e mashtrimet

Përse na shërben edukimi ekonomiko-financiar

17.04.2024 - 17:13

Në ditët e sotme, edukimi ekonomiko-financiar në përgjithësi dhe kultura financiare në vecanti përbën një domosdoshmëri për këdo, duke marrë në konsideratë jo vetëm rritmet e zhvillimit ekonomik, bankar dhe teknologjik, por edhe rëndësinë e peshën që informacioni ekonomik e financiar ka në botën e sotme gjithnjë e më globale. Një kulturë e tillë ndihmon konsumatorët, prodhuesit, investuesitdhe institucionet financiare e monetare të marrin vendime të drejta e eficente financiare. Në këtë drejtim, në Shqipëri, ka shumë vite që janë ndërrmarë një sërë nismash e aksionesh konkrete në ndihmë të edukimit sa më të mirë e të përshtatshëm financiar për grup-mosha e kategori të ndryshme sociale e profesionale. Edukimi ekonomik e financiar në një shkallë të gjerë nuk është dhe nuk duhet të konsiderohet thjesht e vetëm dije e njohuri për ata që studiojnë ekonominë apo financat, por si një dije e njohuri të domosdoshme për të gjithë që nga moshat më të vogla në vitet e para të shkollës, deri te pensionistët.

Mungesa e edukimit financiar na ekspozon ndaj rrezikut për të mos qenë në gjendje të menaxhojmë si duhet të ardhurat dhe kursimet si dhe ndaj rrezikut edhe më serioz për të përfunduar si viktimë e mashtrimeve financiare të llojeve të ndryshme.

Konceptin e edukimit financiar e kemi dëgjuar dhe e dëgjojmë shpesh. Një pjesë e madhe e njerëzve e vlerësojnë si të rëndësishëm e të domosdoshëm për individin dhe shoqërinë. Por megjithatë, akoma një pjesë e madhe nuk e kuptojnë e vlerësojnë si duhet, nuk janë shumë të qartë se kujt i referohet saktësisht ky koncept. Bëhet fjalë për një grup nocionesh që kanë të bëjnë me instrumentet kryesore financiare e monetare dhe rregullat bazë të funksionimit të tregjeve.

Një person që zotëron një kulturë financiare është një person që ka një njohje të caktuar me koncepte të tilla si inflacioni, deflacioni, cmimet, funksionet e monedhës, bankat, kredia, interesi i kredisë, kartat e kreditit dhe debitit, kursimet, depozitat bankare, dhe di se cilat janë instrumentet si aksionet, obligacionet, bondet e thesarit, fondet e investimeve, etj.

Cfarë është edukimi financiar?

Për t’iu përgjigjur pyetjes, çfarë është edukimi financiar?, mund ti referohemi përkufizimit të dhënën nga OCDE : “është një “proces i përmirësimit të të kuptuarit të koncepteve dhe instrumenteve financiare”. Cili do të ishte qëllimi përfundimtar i edukimit financiar? Gjithkush bëhet në gjendje të kuptojë mundësitë dhe rreziqet e investimit me synimin për menaxhim të mirë të kapitalit të tij. Sipas OECD-së, njohuritë financiare janë vendimtare për ekonomitë më të zhvilluara, për të ndihmuar konsumatorët që të kursejnë mjaftueshëm sa duhet për të siguruar të ardhura adekuate deri në pension, për të shmangur nivele të larta borxhi që mund të çojnë në falimentim dhe bankrotim.

Sipas National Financial Educators Council në SHBA “Kur diskutojmë edukimin financiar, ne po flasim për t’u mësuar njerëzve parimet e menaxhimit të parave të tyre gjatë gjithë jetës së tyre. Çfarë është edukimi financiar? Është duke u treguar njerëzve aftësitë dhe duke u dhënë atyre njohuri për t’u marrë në mënyrë efektive me paratë e tyre. Këto parime ndryshojnë në varësi të fazës së jetës në të cilën ndodhet personi dhe shumë faktorëve të tjerë. Edukimi efektiv financiar trajton opsione të ndryshme për të punuar brenda grupeve të ndryshme të variablave. Gjithashtu u tregon njerëzve se si të maksimizojnë kursimet duke minimizuar rreziqet dhe shpenzimet. Ai u jep njerëzve parimet se si t’i bëni paratë të funksionojnë për ju dhe ju çliron nga të qenit skllav i përjetshëm i parave”.

Individët, sipas OECD-së, nuk do të jenë në gjendje të zgjedhin kursimet, ose investimet e duhura për veten e tyre dhe mund të jenë në rrezik mashtrimi, nëse nuk janë të shkolluar financiarisht. “Por, nëse individët bëhen të arsimuar financiarisht, ata do të kenë gjasa më shumë të shpëtojnë dhe t’i sfidojnë ofruesit e shërbimeve financiare për të zhvilluar produkte që me të vërtetë u përgjigjen nevojave të tyre, dhe kjo duhet të ketë efekte pozitive në të dy nivelet e investimeve dhe në rritjen ekonomike”.

Edukimi financiar është një mënyrë e qartë që kursimtarët, konsumatorët dhe investitorët të mund të bëjnë zgjedhje të sukseshme duke patur formimin dhe informacionin e duhur ekonomik e financiar. Prandaj, është “një proces përmes të cilit konsumatorët, kursimtarët dhe investitorët përmirësojnë të kuptuarit e tyre për produktet financiare dhe konceptet që qëndrojnë në themel të tyre dhe nëpërmjet udhëzimeve, informacionit dhe këshillave zhvillojnë qëndrime dhe njohuri të përshtatshme për të kuptuar rreziqet dhe mundësitë për të bërë zgjedhje të informuara. ku të marrin mbështetje ose ndihmë për të bërë këto zgjedhje dhe veprimet që duhet të ndërmarrin për të përmirësuar statusin dhe nivelin e tyre të mbrojtjes”.

Në mënyrë të përmbledhur, edukimi ekonomik e financiar mund të përmblidhet si “aftësia për të menaxhuar asetet ekonomike e financiare në mënyrë eficente e me vetëdije të plotë”. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për ekonomitë në zhvillim, konsumatorët e arsimuar financiarisht mund të ndihmojnë që sektori financiar të jap një kontribut efektiv në rritjen e vërtetë ekonomike dhe uljen e varfërisë.

Sipas Guvernatorit të BSH, Z.Genc Sejko, “Një publik i pajisur me kulturë financiare ka më shumë mundësi të kuptojë botën financiare plot risi që e rrethon, si dhe funksionin dhe vendimet komplekse të bankës qendrore. Me këto principe në fokus, prej afro 20 vjetësh, Banka e Shqipërisë është angazhuar në zgjerimin dhe thellimin e kulturës financiare të publikut në vend, e veçanërisht të brezit të ri…në janar 2024, u miratua Strategjia e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare – një dokument i parë institucional që promovon edukimin financiar, në nxitje të përfshirjes, mirëqenies dhe qëndrueshmërisë financiare. Misioni i tij është të sigurojë që individët në Shqipëri të fitojnë njohuritë, të zotërojnë aftësitë, të mbajnë qëndrimet dhe të zhvillojnë sjelljet e duhura, të sakta dhe të zbatueshme që u mundësojnë atyre të marrin vendime financiare të mirinformuara, me synim final përmirësimin e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare”.

Cilat janë konceptet më të rëndësishme që duhen zotëruar nga individët, bizneset apo institucionet :

njohuri themelore të instrumenteve dhe produkteve financiare ekzistuese (aksione, obligacione, fonde kapitale, kriptomonedha, derivate, etj);
zotërimi i koncepteve të tilla si inflacioni, deflacioni, paraja, cmimet, etj.;
njohja me funksionimin e tregjeve financiare e monetare dhe instrumenteve kryesore të tyre;
njohuri themelore për shërbimet e ndërmjetësimit financiar;
njohuri bazë për funksionimin e bankave, shoqërive të kursim-kreditit, shoqërive të sigurimit, fondeve të pensionit, etj.
aftësia për të përdorur informacionin financiar të marrë për të bërë zgjedhje të sakta kursimi dhe investimi;
ndërgjegjësimi për të drejtat dhe detyrimet në fushën financiare dhe rrjedhimisht aftësia për të vlerësuar propozimet dhe për të zbuluar mashtrimet. Një person me një edukim të mirë financiar, është në gjendje të perceptojë shpejt si oportunitetet e ofruara për investime të llojeve e natyrave të ndryshme, ashtu dhe ofertat mashtruese;
Prandaj, edukimi bazë financiar është thelbësor për të menaxhuar paratë tuaja në mënyrën e duhur, në mënyrë eficente dhe pa rreziqe. Rritja e njohurive dhe aftësive në fushën financiare ka një avantazh të dyfishtë: ju ndihmon të shfrytëzoni mundësitë më të favorshme dhe të mos bini viktimë e mashtrimeve. Angazhimi në instrumente financiare që nuk janë të përshtatshme për mundësitë dhe nevojat tuaja është një gabim shumë më i shpeshtë nga sa mund të imagjinohet. Kjo ndodh sepse mungon perceptimi adekuat i rrezikut dhe përgatitja e duhur për këto çështje. Të kesh një edukim financiar do të thotë gjithashtu të kuptosh marrëdhënien rrezik-kthim, e cila është thelbësore për menaxhimin e parave dhe kursimeve.

Të dini se si t’i menaxhoni financat tuaja në mënyrë optimale do të thotë të merrni vendime të informuara, të cilat ju lejojnë të përmirësoni pozicionin tuaj me kalimin e kohës. Ata që dinë të kontrollojnë financat e tyre tregojnë një prirje më të madhe për planifikim ekonomik. Dhe kjo aftësi është thelbësore për të luftuar pasigurinë e punës. Jo vetëm kaq, edukimi financiar na lejon të merreni me çështjet ekonomike me më pak ankth. Të dish se çfarë të bësh, në fakt, redukton nivelet e stresit dhe tensionit në lidhje me menaxhimin e parave tuaja.

Si është gjendja e edukimit financiar në Shqipëri?

Mbështetur në disa anketime të pjesshme, informacione të ndryshme staistikore apo analiza e konkluzione të disa institucioneve, vecanërisht Strategjia Kombetare e Edukimit&Përfshirjes Financiare të Bankës Shqipërisë, AMF-së, Shoqatës së Bankave apo Ministrisë së Financave, të dhëna që megjithatë akoma nuk janë të plota e periodike, mund të krijohet ide e përafërt për gjendjen reale të edukimit ekonomik e financiar në Shqipëri në vitet e fundit.

Konkluzioni i përgjithshëm është se, megjithë disa përmirësime në vazhdim, gjendja e përgjithshme e kulturës financiare në Shqipëri është e dobët dhe mjaft e mangët. Kultura financiare nuk është e përhapur në mënyrë uniforme duke ndryshuar në varësi të karakteristikave socio-demografike, kulturore e profesionale. Ajo është relativisht më e lartë te personat e diplomuar, meshkujt dhe personat e grupmoshës 25-50 vjec. Nivelet më të ulta kanë të bëjnë me të rrinjtë 16-25 vjec dhe grupmoshën 55-75 vjec, popullsinë rurale në raport me atë urbane, etj. Sipas një ankete të zhvilluar nga Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (2019), mbi 50% e shqiptarëve e vlerësojnë njohuritë e tyre mbi Edukimin Financiar si mesatar deri në shumë të dobët. Vetëm 11% e të anketuarve bëjnë trajnime individuale për t’u bërë më të edukuar financiarisht dhe për të përdorur shërbimet në internet. Vetëm 6% janë kuriozë për të provuar shërbime të reja financiare; 51% menaxhojnë financat e tyre me ato që dinë dhe 21% e të anketuarve nuk i kushtojnë vëmendje Edukimit Financiar.

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë kanë aftësi shumë minimale për të marrë vendime financiare të përgjegjshme dhe të mirëinformuara.

Sa prej shqiptarëve sot kanë dijeni mbi koncepte si “norma e interesit”, “norma e përbërë e interesit” (rikapitalizimi), “inflacioni” apo “deflacioni”, “Bondet e thesarit”, “Euribori” apo “Libori”, etj.? Sa prej nesh e dine se çfarë janë sigurimet apo fondet e pensioneve? Çfarë është Sigurimi i automjetiti, pronës, shëndetit dhe çfarë mbulon ai? Çfarë është pensioni privat dhe kolonat e tij? Si funksionon ai? Shumë pak! Edhe pse të gjitha këto ndikojnë jetën tonë financiare e për pasojë mirëqenien tonë.

Sipas SCAN INTEL, “Banka e Shqipërisë e ka kryer vrojtimin kombëtar për matjen e nivelit të kulturës dhe përfshirjes financiare të popullatës së rritur në Shqipëri, bazuar në metodologjinë e OECD prej 13 vitesh tashmë, me një frekuencë çdo katër vite. Ky vrojtim vlerëson njohuritë, sjelljet dhe qëndrimet financiare të popullatës dhe të dhënat e tij përdoren për të informuar vendimmarrjen dhe politikat e edukimit. Konkretisht sipas rezultateve më të fundit të vrojtimit, shifrat tregojnë se individët në Shqipëri zotërojnë vetëm 53% të njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve të duhura financiare, krahasuar me mesataren globale prej 63%. Gjithashtu, një tjetër objektiv i edukimit financiar është edhe mirëqenia financiare, objektiv ky që ka rezultuar jo i suksesshëm pasi vlerësimi i këtij treguesi ka qenë 7.7 pikë nga 20 pikë në total. Ky pikëzim tregon se individët në Shqipëri janë përgjithësisht të pasigurtë për financat e tyre. Vlerësimi i mirëqenies financiare të individëve në Shqipëri mbetet i dobët krahasuar edhe me indeksin mesatar global që është 9.5 pikë dhe ai i OECD që është 9.9 pikë.”

Edukimi financiar në BE

Ndërkohë, në vendet e BE-së, studimit “Monitorimi i nivelit të edukimit financiar në BE”, EuroBarometer ka publikuar rezultatet e të parit sondazh të kryer në Union mbi këtë temë. Mesatarisht në të gjithë BE-në, 18% e të anketuarve kanë një rezultat të lartë të edukimit financiar, 64% kanë një rezultat mesatar dhe 18% një rezultat të ulët. Vetëm në katër vende të BE-së, më shumë se 25% e njerëzve kanë rezultate të larta në njohuritë financiare: Holandë, Suedi, Danimarkë dhe Slloveni. Gratë, të rinjtë, njerëzit me të ardhura më të ulëta dhe njerëzit me nivele më të ulët arsimor priren të jenë mesatarisht më pak të mirëinformuar financiarisht se grupet e tjera. 77% e të anketuarve raportojnë se janë të kënaqur me përdorimin e shërbimeve financiare dixhitale, 14% ndihen “jo shumë rehat” dhe 7% ndjehen “aspak rehat”. Vetëm 9% e të anketuarve në të gjithë BE-në ndihen ‘shumë të sigurt’ se do të kenë para të mjaftueshme për të jetuar rehat gjatë gjithë daljes në pension; 22% ndihen “aspak të sigurt”. 16% e të anketuarve nuk kanë asnjë kursim. Për shembull, për të marrë një ide më të qartë të pasojave të edukimit të dobët financiar, në Itali u analizuan të dhënat ekonomike gjatë emergjencës COVID-19 : 36.6% e italianëve nuk kishin burime të mjaftueshme për të përballuar më shumë se dy muaj pa të ardhura. Dy në dhjetë familje nuk kishin mjete financiare për të jetuar një muaj pa të ardhura. Vetëm të diplomuarit (39.1%) dhe ata mbi 65 vjeç (39.9%) ishin në gjendje të mbulonin mungesën e të ardhurave deri në 6 muaj.

Vendet e ndryshme perëndimore janë të ndërgjegjësuar për rëndësinë e zhvillimit të politikave të edukimit financiar. Nëse edukimi financiar shpesh karakterizohet nga një grup aktorësh që nuk janë domosdoshmërisht të koordinuar, duhet theksuar se vendet më të avancuara në këtë fushë tashmë kanë zbatuar një strategji kombëtare, e cila bën të mundur vendosjen e një udhëzimi për veprimet e ndryshme dhe forcimin e koordinimit mes tyre. Zhvillimi i kësaj strategjie nënkupton se Shteti demonstron vullnet politik e struktura adekuate për të promovuar edukimin financiar.

Cilat janë fushat e edukimit financiar?

Sipas “Centro Studi Moneyfarm (2023)”, edukimi ekonomik dhe financiar është një grup njohurish shumë i larmishëm, por që të gjitha rrotullohen rreth menaxhimit të vetëdijshëm të parave, pavarësisht nëse janë shpenzime, investim apo planifikimi i zgjedhjeve të ardhshme. Për të optimizuar menaxhimin e parave dhe për të marrë vendime të vetëdijshme dhe të informuara, duhet të përqendrohemi në disa fusha specifike, të tilla si : menaxhimi i aseteve; planifikimi; borxhi; kredia; kursimet dhe investimet; edukimi fiskal.

Le të shkojmë më thellë dhe të përpiqemi të kuptojmë se nga përbëhen ato dhe cilat janë konceptet kryesore në këto drejtime.

Planifikimi financiar- Planifikimi financiar afatshkurtër dhe afatgjatë ju lejon të mbroni veten nga grackat e së ardhmes dhe të përballeni me qetësi me ngjarjet e papritura. Nuk është kurrë herët për të planifikuar për të ardhmen, sepse ka zgjidhje për të kursyer dhe investuar në të gjitha moshat. Pavarësisht nëse zgjidhni një fond pensioni ose planifikoni një shpenzim të madh, nuk është e mundur të merren vendime të informuara pa edukim adekuat financiar. Është thelbësore të njihni instrumentet financiare, me rreziqet dhe mundësitë e tyre dhe të mësoni se si funksionojnë.

Menaxhimi i parave – Me një planifikim të mirë financiar, edhe menaxhimi ditor i parave bëhet më efikas. Menaxhimi i buxhetit është diçka që ne shpesh e bëjmë instinktivisht, duke u udhëhequr fillimisht nga nevojat parësore dhe më pas nga dëshirat. Megjithatë, me themele të forta në financat personale, ne mund ta përdorim buxhetin me më shumë vetëdije dhe vendosmëri, pa qenë të papërgatitur kur vjen ngjarja e papritur e pashmangshme. Zgjedhjet e përditshme për paratë mund të kenë një ndikim që nuk duhet ta nënvlerësojmë.

Kredia dhe borxhi –Borxhi na lejon të përdorim paratë si levë dhe të arrijmë qëllimet tona. Por borxhet nuk janë të gjitha të njëjta dhe edukimi financiar na udhëzon në kuptimin e borxhit produktiv dhe joproduktiv. Ky dallim delikat bëhet i rëndësishëm kur ne kërkojmë kredi. Të hasni telashe financiare me një borxh që është i papërshtatshëm për nevojat tuaja, sepse është shumë i lartë ose joproduktiv, është një gabim që mund t’ju kushtojë shtrenjtë.

Kursimet – Kursimi nuk do të thotë vetëm të lëmë mënjanë para për kur është e nevojshme, por t’i japësh jetë projekteve të së ardhmes. Me aftësi të mira edukimi financiar, ne mësojmë të vendosim qëllime largpamëse, por të mundshme, për sa kohë që mbeteni të disiplinuar dhe të fokusuar në qëllimin përfundimtar.

Investimi – Ata që duan të investojnë kanë një gamë të pakufishme mundësish përpara tyre dhe është mjaft e zakonshme të mbeteni të çorientuar nga një ofertë kaq e gjerë. Aftësitë financiare na ndihmojnë të kuptojmë se nuk ka mundësi investimi që janë absolutisht më të mira se të tjerat, por çdo zgjedhje duhet të peshohet bazuar në objektivat dhe situatën e investitorit individual.

Masat dhe strategjitë për edukimin financiar

Në nëntor 2005, OECD publikoi një studim të parë ndërkombëtar mbi këtë temë (“Për një edukim më të mirë financiar). Që në korrik 2005, OECD kishte publikuar rekomandimet e para mbi parimet dhe praktikat e mira në lidhje me ndërgjegjësimin dhe edukimin financiar. Ndër idetë kryesore të këtyre dokumenteve, mund të nënvizohen konkluzionet e rekomandimet se : përvetësimi i njohurive për paranë është më shpesh një çështje përvoje sesa e arsimit formal, ndërsa zotërimi i financave personale është një nga aftësitë thelbësore të jetës, ajo trajtohet si e tillë vetëm në pak sisteme arsimore; Edukimi financiar duhet të fillojë që në bankat e shkollës; Edukimi financiar duhet të jetë pjesë e parimeve të qeverisjes së mirë të institucioneve financiare, transparenca dhe llogaridhënia e të cilëve duhet të inkurajohet; vlerësuar e kuptuar format dhe modelet e angazhimit në skemat e pensioneve publike e private; domosdoshmëria e organizimit të fushatave kombëtare, shërbimeve informimi falas dhe sistemet e alarmit për situatat me rrezik të lartë për konsumatorët e produkteve ose shërbimeve financiare (në raste të veçanta të mashtrimit).

Në 28 mars 2008, OECD miratoi, një grup rekomandimesh në lidhje me “praktikat e mira” për edukimin financiar në lidhje me pensionet dhe sigurimet. Në kuadrin e Konferencës Ndërkombëtare të Washingtonit për Edukimin Financiar , maj 2008, OECD hapi një portal të specializuar informacioni mbi këtë temë. Për të gjitha këto arsye, rreth një dekadë më parë, OECD mori iniciativën për edukimin financiar, për ndërgjegjësimin e institucioneve dhe individëve për nevojën e njohurive financiare, duke ndërtuar për këtë qëllim një fushatë të përvitshme si “Java e Parasë” që organizohet çdo fillim pranvere në rreth 176 vende të botës, përfshirë dhe Shqipërinë.

Organe dhe forume të ndryshme veprojnë gjithashtu në mbarë botën për të promovuar edukimin financiar në shkallë sa më të gjerë. Që nga viti 2003, funksionon Forumi Ndërkombëtar për Edukimin Financiar dhe Mbrojtjen e Konsumatorit apo Forumi Ndërkombëtar për Edukimin e Investitorëve i krijuar që në vitin 2007, i cili është një OJF e industrisë private, objektivi kryesor i të cilit është përmirësimi i edukimit për investime në mbarë botën, për t’u mundësuar konsumatorëve të zgjedhin produkte financiare dhe të investojnë në to me vetëdije.

Komisioni Evropian është gjithashtu vazhdimisht i angazhuar në lidhje me edukimin financiar. Përballë mungesës së njohurive të konsumatorëve për produktet financiare dhe rritjen e zgjedhjes dhe kompleksitetin e këtyre produkteve, Komisioni ka vendosur të promovojë zhvillimi i edukimit financiar brenda Bashkimit Evropian (BE). Zhvillimi i programeve të edukimit financiar duhet të inkurajohet nëpërmjet: ndërgjegjësimi për nevojën për të luftuar kundër injorancës financiare; ndarjen e praktikave më të mira; zhvillimi i mjeteve praktike për të ndihmuar e lehtësuar mësimdhënien në problematikat e edukimit ekonomik e financiar. Në një rezolutë të miratuar më 18 nëntor 2008, Parlamenti Evropian bën thirrje për përmirësimin e edukimit dhe ndërgjegjësimit të konsumatorëve për financat dhe kreditin, për të përfshirë edukimi financiar në programet shkollore, për të krijuar një rrjet edukimi financiar duke kombinuar sektorin publik dhe privat.

Në vende të zhvilluara, si SHBA, Britania e Madhe, Kanada, Australi, Japoni, Zelanda e Re, Francë, etj., ka një ndërgjegjësim në rritje për problematikën e edukimit financiar. Duhet theksuar se vendet më të avancuara në këtë fushë kanë zbatuar strategji kombëtare specifike, të karakterizuar nga ngritja e agjensive qeveritare që monitorojnë këto strategji, ngritja e komiteteve ndërministrore për aplikimin dhe ndjekjen e tyre, krijimin e partneriteteve ndërsektoriale, etj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Niveli më i lartë në historinë 15 vjeçare të tij

Adrian Civici: Rritja spetakolare e çmimit të Bitcoin